Vendi i furnizimit të mallrave, DPT: Rregullat dhe procedurat që duhen ndjekur

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar në faqen e saj zyrtare rregullat dhe procedurat që duhen ndjekur nga tatimpaguesit në lidhje me vendin e furnizimit të mallrave. DPT bën me dije se vendi i tatueshmërisë, për furnizimin e mallrave të luajtshme të trupëzuara, ndryshon nëse mallrat dërgohen apo transportohen, nëse montohen apo instalohen apo nëse furnizohen në bordin e një anijeje, të një mjeti fluturues apo të një treni.

Sipas DPT vendi i furnizimit të mallit është në republikën e Shqipërisë atëherë:

  • Kur malli nuk dërgohet ose nuk transportohet;
  • Nëse malli ndodhet në Republikën e Shqipërisë në momentin kur i vihet në dispozicion blerësit;
  • pavarësisht vendndodhjes apo vendbanimit të blerësit brenda ose jashtë Republikës së Shqipërisë.

Në të kundërt, nëse malli i cili nuk dërgohet, ose nuk transportohet, ndodhet jashtë Republikës së Shqipërisë në momentin e vënies në dispozicion të blerësit, vendi i furnizimit të mallit nuk është në Republikën e Shqipërisë dhe furnizimi nuk është i tatueshëm në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu quhet furnizimi i mallrave me dërgesë ose me transport nga shitësi, blerësi ose një palë e tretë për llogari të tyre:

  • Kur malli dërgohet apo transportohet nga Republika e Shqipërisë, vendi i furnizimit të mallit ndodhet në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht destinacionit të mallit në një vend jashtë saj;
  • Vendi i furnizimit të mallrave të luajtshme të trupëzuara është në Shqipëri nëse malli ndodhet në Shqipëri gjatë montimit apo instalimit;
  • Vendi i furnizimit të mallrave të luajtshme të trupëzuara të shitura në bordin e anijeve, aeroplanëve apo trenave për transport ndërkombëtar të pasagjerëve, është në Shqipëri kur mallrat ndodhen në Shqipëri në momentin e nisjes së transportit, pavarësisht vend-mbërritjes së mjetit të transportit;

Kjo dispozitë zbatohet vetëm për mallrat e luajtshme të trupëzuara që tregtohen (shiten) në bord, por nuk janë të destinuara për t’u konsumuar në bord, ose kryhen dhe konsumohen në të njëjtën kohë në bordin e këtyre mjeteve të transportit, bën me dije DPT.
Ndërkaq në lidhje me furnizimin e gazit natyror, energjisë elektrike, ujit, energjisë për ngrohje dhe ftohje nëpërmjet sistemeve të shpërndarjes zbatohen këto rregulla:
Vendi i furnizimit të gazit natyror, energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe ftohje dhe ujit është në Shqipëri nëse:

  • Këto mallra janë konsumuar apo përdorur efektivisht në Shqipëri, pavarësisht vendndodhjes së blerësit ose shitësit;
  • Në mungesë të konsumit apo përdorimit efektiv të këtyre mallrave në Shqipëri, kur blerësi person i tatueshëm ka selinë e veprimtarisë së tij ekonomike në Shqipëri apo njësinë fikse ku furnizohen mallrat, ose në mungesë të tyre vendi ku ai ka adresën e përhershme, ose ku ai banon.

Në lidhje me furnizimet me gaz natyror, energji elektrike, ngrohje apo ftohje të tatueshme në vendin e konsumit, furnizimi me gaz natyror, energji elektrike, ngrohje apo ftohje është i tatueshëm në Shqipëri nëse blerësi, pavarësisht vendit ku ndodhet selia e veprimtarisë së tij ekonomike apo vendndodhja e qëndrueshme, konsumon apo përdor efektivisht në Shqipëri gazin natyror, energjinë elektrike, ngrohjen apo ftohjen.

Ndërsa për furnizimet me gaz natyror, energji elektrike, ngrohje apo ftohje të tatueshme në vendin ku ndodhet blerësi, furnizimet me gaz natyror, energji elektrike, ngrohje apo ftohje për qëllime të ndryshme nga ato të konsumit apo të përdorimit të tyre nga blerësit, janë të tatueshme në Shqipëri kur blerësi person i tatueshëm ka në Shqipëri selinë e veprimtarisë së tij ekonomike apo një vendndodhje të qëndrueshme.

SHKARKO APP