Vendorët, “aksioni” që parapriu zgjedhjet/ Lejet e ndërtimit dhe taksa e pronës, dy “shtyllat” e financave

Në tre muaj e parë të vitit, 3 muaj përpara zgjedhjeve vendore, ku kryebashkiakëve do u duhej të linin mandatet, 61 bashkitë në të gjithë vendin rritën ndjeshëm të ardhurat, rritën shpenzimet për personelin dhe reduktuan investimet për qytetarët. Një panoramë thuajse tipike në një vit zgjedhor ku përpjekja kryesore është që të merret maksimumi nga mandati. Referuar raportit të Financave Vendore, në 3 muajt e parë të këtij viti pushteti vendor mblodhi 5.4 miliardë lekë, apo 1.4 miliardë me shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Rriten me 1.4 mld lekë të ardhurat

Në fund të tremujorit të parë të vitit 2019, të ardhurat nga burimet e veta vendore (taksa dhe tarifa vendore, veprimtari me asete dhe të tjera) regjistruan një vlerë prej rreth 5.4 miliard lekë, në rritje me rreth 34.4% në terma vjetorë, rreth 1.4 miliard lekë më të larta nga niveli i regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky tre mujor përbën edhe të ardhurat më të larta të mbledhura ndonjëherë në 10 vitet e fundit. Krahasuar me vitin 2015, kjo shifër është dyfishuar. Kontributin më të madh në mbledhjen e të ardhurave e ka pasur Bashkia Tiranë. Ndaj totalit të të ardhurave nga burimet e veta, të ardhurat e mbledhura nga bashkia Tiranë përfaqësuan rreth 58.6% të tyre. Për diferencë, 60 bashkitë e tjera në vend së bashku kanë kapacitet fiskal më të ulët se ai i bashkisë Tiranë, duke përfaqësuar rreth 41.4% të të ardhurave nga burime të veta në periudhën e konsideruar. Pesha relative e bashkive në totalin e të ardhurave nga burimet e veta vendore informon dhe sinjalizon mbi hendekun e madh të krijuar mes bashkisë Tiranë dhe 60 bashkive në vend, si dhe mungesën e kapaciteteve financiare të nevojshme për të përmbushur detyrimet për ofrimin e shërbimeve publike vendore. Edhe pse në masë më të ulët, bashkitë Lezhë, Korçë, Himarë kontribuan pozitivisht në ecurinë e të ardhurave nga burime të veta përgjatë fillim vitit 2019. Në të kundërt, kjo kategori të ardhurash rezulton të jetë në kahun rënës për 45.9% të bashkive në vend (28 bashki) si bashkitë Elbasan, Kuçovë, Libohovë, Maliq, Mallakastër, Mat, Shijak, Shkodër, Vorë etj. Të ardhurat nga taksat vendore kontribuan me rreth 65% në të ardhurat totale nga burimet vendore. Në terma nominalë, të  ardhurat nga taksat vendore regjistruan një nivel prej rreth 3.5 miliardë lekë, në rritje me rreth 58.7% në terma vjetorë.  Edhe të ardhurat nga taksat thuajse janë dyfishuar krahasimisht me vitin 2015, ku kanë qenë në nivelin e 1.5 miliardë lekëve si dhe regjistrohen në nivelin më të lartë të njëjtës periudhë në 10 vite.

“Festë” me lejet e ndërtimit

Ndonëse të ardhurat nga taksat vendore kanë ardhur në rritje, kontributin kryesor në këtë shifër e ka dhënë  taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja dhe taksat mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa, tokë bujqësore, truall). Ndërkohë që pesha e kësaj të fundit është tkurrur ndjeshëm në tremujorin e parë të vitit 2019, pesha e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtime te reja është rritur me ritme të përshpejtuara. Në fund të tremujorit të parë të vitit 2019, të ardhurat nga këto dy taksa përfaqësuan rreth taksash përfaqësuan rreth 87.1% të totalit të të ardhurave nga taksat vendore. Në të kundërt, pesha dhe kontributi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe taksat e tjera u tkurrën në mënyrë të konsiderueshme në periudhën në analizë.

Rritet “vjelja: e taksës së pronës

Të ardhurat nga taksa mbi ndërtesat në 3 muajt e parë të vitit, shënuan rritje me rreth 16.4% në terma vjetorë. Sipas raportit të Financave Vendore, me të dhënat në dispozicion nuk është e mundur të përcaktohet nëse rritja e të ardhurave nga taksa e ndërtesës i detyrohet aplikimit të metodologjisë së re të taksimit mbi bazën e vlerës së tregut të ndërtesës apo përmirësimit të normës së mbledhjes së të ardhurave. Në terma strukturorë, të ardhurat nga taksa mbi ndërtesat zënë peshën më të madhe në totalin nga të ardhurat nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme (62.5%). Për tremujorin e parë të vitit 2019, të ardhurat nga kjo taksë regjistruan një nivel prej rreth 533.3 milionë lekë, në rritje me rreth 16.4% në terma vjetorë. Rreth 44.9% e të ardhurave totale nga taksa e ndërtesës u mblodh në bashkinë Tiranë ndjekur nga bashkitë Vlorë (7% ndaj totalit) dhe Durrës (5.9% ndaj totalit). Përdorimi si agjent tatimor i ndërmarrjeve të UK-ve duket të ketë dhënë rezultate pozitive në periudhën e konsideruar. Të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore, ndonëse me peshë të moderuar, kontribuan me rreth 111.5 milionë lekë në kategorinë e të ardhurave nga taksa mbi pronën (duke shënuar rënie të konsiderueshme me rreth 30.7% në terma vjetorë).

Rriten detyrimet e prapambetura

Stoku i detyrimeve deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2019 shënoi rreth 7.2 miliardë lekë në total. Krahasuar me stokun e detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2018, rezulton të jetë zgjeruar me rreth 397 milionë lekë, ose me rreth 5.9%. Sipas kategorive, 48.2% e stokut të detyrimeve të prapambetura përfaqësohet nga investimet, 20.4% nga detyrime për mallra dhe shërbime, rreth 17.4 % nga vendime gjyqësore dhe 11.8% nga detyrime të tjera. 8 ndër 61 bashki mbajnë rreth 67.7% të stokut total të detyrimeve të prapambetura në fund të tremujorit të parë të vitit 2019. Në nivel bashkie, rreth 35.9% e stokut të detyrimeve të prapambetura mbahet nga bashkia Tiranë, i cili  u rrit me rreth 572.2 milionë lekë në fund të tremujorit të parë të vitit 2019.

Shpenzimet

70 për qind e shpenzimeve të pushtetit lokal shkon për paga dhe shpenzime të tjera operative dhe vetëm 30 për qind për investime. Shpenzimet me fondet e veta të bashkive regjistruan një nivel prej rreth 12.6 miliardë lekë në fund të tremujorit të parë të vitit 2019, duke shënuar një rritje të lehtë me rreth 2% krahasuar me vitin e mëparshëm. Rritja e shpenzimeve totale me fonde të veta me rreth 2.1% në terma vjetorë u përcaktua nga zgjerimi i shpenzimeve korrente, në fund të tremujorit të parë të vitit 2019. Gjatë kësaj periudhe, shpenzimet korrente shënuan një nivel prej rreth 8.9 miliardë lekë në rritje me rreth 3.5% në terma vjetorë. Në të kundërt, ecuria e shpenzimeve kapitale me fonde të veta kontribuoi negativisht në ecurinë e shpenzimeve totale. Ndër përbërësit e shpenzimeve korrente, shpenzimet për personelin (paga dhe sigurime) përbënë rreth 5.3 miliardë lekë gjatë periudhës së konsideruar, në rritje me rreth 4.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Shpenzimet operative dhe të tjera 14 regjistruan një nivel prej rreth 3.6 miliardë lekësh në fund të tremujorit të parë të 2019, me një rritje modeste prej 1.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa shpenzimet për investime shënuan një vlerë prej rreth 3.7 miliardë lekësh në fund të tremujorit të parë të vitit 2019, në rënie me rreth -1.3% në terma vjetorë.

 Elisabeta Dosku / SCAN Magazine

SHKARKO APP