Vetëvendosje: Zgjedhjet si vazhdim i zgjedhës në Universitete

Zgjedhjet në Universitete do të mbahen më 30 korrik, por me masa të shtuara për të shmangur infektimin me koronavirus.

Lëvizja Vetëvendosje e cilëson të pakuptimtë mbajtjen e këtij procesi në mes të përkeqësimit të pandemisë dhe thellimit të krizës ekonomike, pa shumicën e studentëve dhe të një pjese të mirë të pedagogëve.

Në një deklaratë për mediat, VV thotë se sot universitetet publike gjenden në një prej ditëve më të vështira, mes disa drejtuesëve të delegjitimuar dhe presioneve qeveritare për ta vendosur arsimin e lartë nën kontrollin e plotë të regjimit.

Sipas VV, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë me shpalljen e datës së dytë të zgjedhjeve vetëm sa po e rëndon zgjedhën.

Deklarata e plotë e Lëvizjes Vetëvendosje

Ç’zgjedhje mund të mbahen në universitetet publike në një shtet policor, në mes të përkeqësimit të pandemisë dhe thellimit të krizës ekonomike, pa shumicën e studentëve dhe të një pjese të mirë të pedagogëve? Sot universitetet publike gjenden në një prej ditëve më të vështira, mes disa drejtuesëve të delegjitimuar dhe presioneve qeveritare për ta vendosur arsimin e lartë nën kontrollin e plotë të regjimit.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) ka shpallur për herë të dytë zgjedhjet në universitete, kësaj radhe më 30 korrik, vetëm që ta rëndojë zgjedhën. Ky spektakël që luhet në emër të demokracisë përfaqësuese nga një regjim shtypës e klientelist, tenton të mbulojë tentativën për kapjen e mëtejshme të institucioneve, dëmet e shkaktuara nga Ligji për Arsimin e Lartë, buxhetin e ulët për universitetet, tarifat e larta për studentët, mungesat e bibliotekave dhe laboratoreve, si dhe në përgjithësi degradimin e arsimit publik. Këto zgjedhje nuk japin zgjidhje sepse në thelb nuk i japin përgjigje as shqetësimeve e as nevojave të studentëve e stafit akademik.

Regjimi po paraqet si alternativë dy faqe të së njëjtës monedhë: rrënim i mëtejshëm i arsimit publik me “zgjedhje” si zgjedhë, apo rrënim i arsimit publik pa zgjedhje. E vërteta është se ky regjim nuk mund të paraqesë më alternativa. Prandaj studentët dhe pedagogët që e duan dijen dhe universitetin, emancipimin dhe zhvillimin shoqëror, duhet që alternativën ta ndërtojnë së bashku. Një fitore e vogël u arrit kur MASR u detyrua t’i shtyjë zgjedhjet e jashtëligjshme të 12 qershorit për shkak të kundërshtimeve të shumë studentëve, pedagogëve dhe disa organizatave. Kundërshtimet kanë nisur edhe për datën 30 korrik. Angazhimi dhe fitoret e vogla duhet të na ndihmojnë të kuptojmë se edhe fitoret e mëdha janë të realizueshme. Ato arrihen nga çlirimi i vullneteve të ndrydhura përmes organizimit të qëndrueshëm dhe aksionit të përbashkët.

Lëvizja VETËVENDOSJE! sheh tek rinia potencialin e madh për organizimin e domosdoshëm studentor dhe shoqëror që çon drejt realizimit të aspiratave përparimtare të shqiptarëve në arsim e në çdo fushë të jetës. Bashkë do ta bëjmë të mundshme.

SHKARKO APP