VIDEO/ “E dija mrekullinë e Teatrit, por JO atë të sheshit”

Nga Juli Emiri*

Aty njoha nje plakë 90 vjeçare që rri çdo ditë deri sa errësohet, se pastaj nuk mund të shohë më rrugën

Aty njoha një të ri që bëri monologun më të bukur të jetës duke iu lutur policit të hiqte kapelen

Aty njoha një shëndetlig që kish kaluar atak dhe që prej se erdhi aty nuk u sëmur më

Aty njoha një besimtare që bën lutjen e mëngjesit në sheshin ku e ka gdhirë

Aty njoha një pensionist që jep çdo muaj një pjesë të vogël nga pensioni, që teatri të ketë drita për shfaqje

Aty njoha një nënë të re që na sjell ushqim në katër të mëngjesit

Aty njoha një grua që vishet gjithmonë me taka, edhe kur përleshet me policët

Aty njoha nje sociologe që e kishte të vështirë të ngjitej në skenën e teatrit, se i dukej vend i shenjtë

Aty njoha një çift që nuk kishin mundur të bënin fëmijë, e kjo i kish lënë të dashuruar si adoleshentë

Aty njoha një arkitekt që kujdesej për teatrin si për prindërit e tij të sëmurë

Aty njoha nje pedagoge që bën tualet para fotos së mëngjesit për të fshehur rrathët e pagjumësisë

Aty njoha të shoqen e një inxhinieri,i cili i kish thënë asaj se teatri ka muret më të drejtë

Aty njoha një endacak që zbuloi se kur këndonte nuk i merrej goja

Aty njoha një grua që sa herë vjen vendos një vazo me lule mbi tavolinë

Aty njoha një të moshuar i cili pastronte pluhurin nga poltronat si të pastronte ëndrrat e tij

Aty njoha një djalë të cilit një ditë iu desh të largohej, se ishte banor i Astirit

Aty njoha nje aktor shqiptar i cili shkeli për herë të parë në Shqipëri për të mbrojtur teatrin ku nuk kish performuar kurrë

Aty njoha një vajzë që zbuloi se shkruante bukur

Aty njoha një djalë që rregullonte çdo ditë ndriçimin, por nuk ishte elekriçist

Aty njoha një burrë që dinte të qante me lot fëmije

Aty njoha një adhuruese të bukurisë që mendonte se kurrë nuk kishte qenë e bukur

Aty njoha një diplomat të suksesshëm që dikur ëndërronte të bëhej aktor

Aty njoha nje muzikant që udhëtonte natën maleve të jepte ndihma për tërmetin

Aty një piktor u dashurua me një balerinë turneve të natës dhe u bënë të pandarë

Aty njoha një ish të persekutuar që gënjente fëmijët për të ardhur aty, se ata nuk do e kuptonin

Aty njoha një mësues që na fotografon ne, por kurrë veten, që të mos humbë vendin e punës

Aty u rrita, ndonëse gjithmonë e kam menduar veten te rritur

Aty mësova që e vetmja mënyrë për të qëndruar lart është të tentosh fundin

Aty mësova se liria nuk ka pamje madhështie, por ka pamjen e zakonshme te njërit prej tyre

Aty mësova se kur pret agun me të ngjashëm nuk e ndien të ftohtin

Aty mësova ç’do të thotë të piqesh me të huaj që i njeh prej një jete

Aty mësova se idetë e mëdha nuk lindin në tryeza mermeri nën llampadarë të ndritshëm, por në qoshe me baltë nën dritën e hënës

Aty mësova se dhjetë janë më shumë se njëmijë

Aty mësova se në një hapësirë të mbyllur ka më shumë ajër se në një qytet të madh

Aty mësova se fryma është më e prekshme se njeriu

Aty mësova se heroi kishte pamjen e një burri me pantallona te shkurtra, të zverdhur nga pagjumësia

Aty mësova që mikrofoni është arma më e fortë

Aty mësova që veprat e mëdha lindin në shesh

Aty u mësova prindërve të besojnë tek unë

Aty zbërtheva fabulën e breshkës dhe lepurit

Aty mësova se koha është e dashura më besnike

Aty dielli bie çdo ditë nga ora 7 deri në 3

Aty pëllumbat vijnë çdo mëngjes të kërkojnë ushqim

Aty ka një pemë që e kanë tharë, por rrënjët i ka në tokë

E kam ditur prej kohësh mrekullinë që ndodh në skenën e teatrit, por nuk kisha ditur mrekullinë që ndodh në sheshin e teatrit

*Monologu i aktores Juli Emiri dje në emisionin “Tempora”, në RTV Ora 

Tempora - Monologu i Juli Emirit- "E dija mrekulline e teatrit por JO ate te sheshit"

SHKARKO APP