Vija e Ngjalës në Fier, zonë e harruar nga autoritet

Nga Gëzim Hoxha
Vija e ngjalës ndodhet në periferi të qytetit të Fierit aty ku mbarojnë ndërtimet. Ajo ka qenë aty për vite e vite e ndoshta edhe me shekuj. Nuk dihet nga e ka marrë këtë emër, por në ditët e sotme kjo vijëështë thjesht një kanal. Ajo ndodhet fare pranë fushës së tejmbushur të plehrave. Më tej fillojnë zona rurale e fshatrave Daullas e Afrim. Në fillim të shekullit të kaluar ajo shërbente si kufi për kënetën e cila zaptonte të gjithë zonën e Sheqit të Madh. Pas viteve ’50 zona e Sheqittë Madh, me tharjen e kënetës dhe bonifikimin e saj filloi të popullohej dhe aty nisën ndërtimet e shtëpive të para. Përtej vijës së ngjalës gjatë viteve të monizmit u ndërtua edhe një stallë derrash në të cilën u punësuan shumë banorë të zonës. Pas viteve ’90, stallat u privatizuan nga ish punonjësit. Ata ia shitën të ardhurve nga qytete të tjera të cilët i prishën dhe ndërtuan shtëpitë e tyre.
Problematika e kësaj zone.
Bumi i ndërtimeve që pasoi pas viteve ’90 as nuk u lejua dhe as nuk u ndalua. Për pasojë kjo zonë vuan nga një mungesë investimesh. Ky bum ndërtimesh nuk u shoqërua me investimet e nevojshme infrastrukturore të cilat do ia lehtësonin jetën banorëve,të cilët për mëmirë, zgjodhën të linin qytetet e tyre të mëparshme dhe u ngulën në Vijën e Ngjalës, tek Stalla e Derrave. Konkretisht atyre u duhet një rrugë, iu duhet ndriçim që do ia bënte më të sigurt jetën dhe pronat e tyre si dhe nja dy kosha ku të hidhnin mbeturinat. Dikush mund të thotë kush iu thatë vinin këtu? E vërtetë, por njeriu përpiqet gjithmonë për mirë. Ndonjëherë mund t’i dalë për mirë e ndonjëherë mund t’i dalë për keq. Përveç problemeve që u përshkruan disi më lart është edhe një tjetër problem. Aroma e padëshiruar e plehrave e cila është miku i përhershëm i shtëpive të tyre. Punësimi, është një tjetër problem madhor, por për të nuk po flasim, pasi nga kjo gjë vuan e gjithë Shqipëria.
Të gjithë ankohen.
Të gjithë ankohen kur i pyet. Dhe të bën përshypje se ata nuk dinë se për çfarë të ankohen parë e më parë. Ankohen se nuk i dëgjon njeri, ankohen se nuk i pret njeri, ankohen e ankohen…
Qamilin e gjen pothuajse çdo ditë tek fusha e plehrave. Ai të tregon një kërrabë të metaltë të cilën e përdor si vegël për të gërmuar dhe marrë shishe e bidona plastike a ndonjë kanaçe. Qamil Faslliu, 56 vjeç babai i tre vajzave të thotëi përvuajtur: – Kjo fushëështë jeta jonë, këtu punojmë gjithë ditën, këtu dhe helmohemi, pasi ne e kemi kancerin në gjak.
Tani ai jeton vetëm me të shoqen pasi vajzat i ka të martuara. Kur e pyet në ka zanat tjetër, ai të përgjigjet: – Nuk kam zanat, kam vetëm 8 klasë shkollë, por ama jam mëi shkolluar se gjithë të tjerët. Ai tregon me gisht personat e tjerë që punojnë po aty. Më pas me keqardhje ai tregon se si e ngeli mësuesi në klasë vetëm e vetëm se e mori inat. – Jam bërë pishman sepse kam mësuar shumë dhe e doja shkollën po rrethanat më detyruan që të hyja në punë në fermën e Libofshës.
Kur e pyet për të dyja kohët ai thotë se çdo kohë ka të mirat dhe të këqiat e veta, por ajo kohë(ai nënkupton sistemin e mëparshëm), ta gjente punën, ndërsa sot duhet ta gjesh vetë. Qamili i përket minoritetit rom, portë habit fakti se sa atdhetar është. Ndoshta ai është më patriot se më patrioti ndër ne. Ai e do Shqipërinë edhe pse prejardhjen e ka nga India. Sipas Qamilit, njerëzit me ngjyrë në Shqipëri ndahen në Çeriklan, në Egjiptian dhe në Marokien. Ai thotë se edhe pse është me origjinë nga India ai ndihet shqiptar, sepse këtu ka lindur e këtu është rritur.
Kur e pyet me kurreshtjen më të madhe se ku është fusha e plehrave?, ai tregon me dorë: – Ja kjo këtu është fusha e plehrave. Jo shumë larg shinave të trenit sheh dy skrepa për të cilët Qamili të thotë se ata janë të prishur dhe qëndrojnë aty. Sa sa kohë po bëjnë aty, ainuke mban mend. – Plehrat vetëm sa hidhen dhe mbulohen me dhe. – tregon Qamili. E kush më mirë se ai e di të vërtetën për to? Ai punon aty gjithë ditën e ditës.

Aroma e plehrave ndihet më shumë në verë. – ankohet ai. – Kjo aromë ndihet deri nëVajkan. Po s’kemi ku të shkojmë. Edhe banorëve të Sheqit aroma e tyre u është bërë mik shtëpie. – thotë duke qeshur ai. Me frikë të madhe ai tregon se si ia vodhën pulat. – Kisha 7 pula, të gjitha mi vodhën. Tek lagja jonë nuk ka drita dhe natën aty vijnë e mblidhen hajdutët e të droguarit.
Edhe për rrugën na ndihmoi shoqata e Romëve që na solli nja dy kamionë me çakull që ia hodhëm se mezi sa kaloje në të. Pse të mos shtrohet edhe ajo me zift a me asfalt e të bëhet një rrugë e standarteve evropiane? Edhe këtu jetojnë njerëz. – ankohet Qamili.
Ai të thotë se edhe pse ka shkuar në rajonin ku dhe figuron i regjistruar, nuk ka mundur të siguroj dot një përkrahje apo ndihmë sociale. Në fushën e plehrave ka dhe të tjerë romë që punojnë. Edhe Klodiana Faslliu, kunata e Qamilit, punon në këtë fushë. Atë e shohim të mbledhë e të fusë nëpër thasë të mëdhenj sargjie shishe e bidona plastike e çdo gjë tjetër qëi duket me vlerë. Më pas ajo e ngarkuar me një thes të madh e të tejmbushur merr udhën e shkurtër të shinave të trenit, zbret një të pjerrët të improvizuar, ndoshta nga vetë banorët, dhe i çon ato në oborrin e një shtëpie dykatëshe. Ajo thotë se fiton rreth 300 lekë në ditë për punën që bën. Kur e pyet se si ia del me kaq pak, ajo ngre supet dhe thotë: – S’kemi ç’të bëjmë tjetër, nga halli. I shoqi i Klodianës afrohet me nxitim për të marrë vesh se ç’po ngjet ai thotë: – Kjo është puna jonë dhe ne punojmë sa të duam këtu.

Luljeta Kapaj e ka kthyer oborrin e shtëpisë së saj në një pikë grumbullimi për mbetjet plastike që grumbullojnë romët gjatë ditës. Në nxitim e sipër pasi e kishte gjellën në zjarr ajo thotë se është normale që aromat e plehrave e bezdisin po edhe pse janë ankuar për vite me radhë nuk i ka dëgjuar asnjeri.
Duke ecur nëpër rrugën e paasfaltuar që të çon tek ish Stalla e Derrave vëmendjen ta tërheq një portë e madhe. Porta ishte më se e zakonshme por tabela që qe varur në të, të bënte përshtypje. Në të shkruhej: “Ambienti survejohet nga kamerat!” Të jetë vallë ndonjë institucion? – pyet veten njeriu në kësi rastesh. Por të habit fakti që ajo është thjesht një shtëpi. Nga biseda që bën me banorët e asaj shtëpie dhe të një tjetre e mëson edhe shkakun se pse ky ambien ruhet nga kamerat.
Halime Berisha,rreth të 60 -va, tregon se është bijë nga Sheqi i Madh.Ajo u martua në Elbasan dhe tani jeton në shtëpinë e saj e cila ndadhet te ish Stalla e Derrave që prej vitit 1998. – E prura sërish në Sheq, e solla në vendorigjinën e saj. – të thotë duke qeshur i shoqi i Halimes. Kur e pyet se sa e shqetësojnë aromat e pakëndshme të plehrave ajo të thotë duke qeshur: Ç’e pyet. Mbyllim dritaret, në verë nuk rrihet fare. Tani është më ndryshe, se kur i digjnin, detyroheshim të iknim me ditë nga shtëpia. Ajo tregon se kanë ardhur nga Elbasani për më mirë, por iu doli huq. Ajo të thotë se faj ka edhe shteti që nuk i ka mbështetur me investime në infrastrukturë.
E ndodhur po aty për një vizitë, Marie Hoxha 59 vjeç, të thotë se kemi dashur ta takojmë kryetarin e bashkisë por është shumë e vështirë që ta takosh. Ajo dhe ndonjë tjetër banor i zonës janë intervistuar shpesh por asgjë nuk ka ndodhur deri më tani. Maria tregon se ka ardhur aty që në vitin 1992 nga Roskoveci. Ajo ia bleu pjesën qëi takonte së motrës dhe me paratë që mori nga shitja e apartamentit që kishin në Roskovec ndërtoi një shtëpi. Në fillim nuk kishin as ujë. – Venim e merrnim ujë nga kanali që ndodhet këtu pranë për të larë kokën dhe rrobat. U desh që ne të investonim vetë për shtrirjen e tubacionit që tani të kemi ujë të pijshëm me orar.
E megjithatë ndërhyn Halimeja, edhe pse e pagojmë ujin me rregull, gjatë verës nuk na vjen pothuajse fare uji. Hallet e këtyre banorëve nuk kanë të sosur. Kur tregohesh cinik e iu thua popse erdhët?, ata e pranojnë zemërthyer. – U treguam budallenj, – thotë Halimeja, – iu lumtë atyre që na e shitën. Mirë të tjerat, po ne nuk kemi as tapinë e shtëpive. Kësaj ç’i thua?
Nga Maria mëson se ata kanë privatizuar vetëm objektin e stallave por jo tokën, pasi në 1992 -shin nuk lejohej privatizimi i tokës. – Kemi shtëpi, po nuk ndihemi zotër të saj. Më pas ajo të merr me vete dhe të tregon plasaritjet e mureve nga shpërthimet Bankers – it. Dhe më tej natyrshëm ajo nis e flet për hallet e saj të mëdha. Tregon për djalin qëi ka rënë në burg dhe ia kanë dënuar 15 vjet, për nusen qëështë nga Fushë Arrza po nuk vjen se nuk ka një banjo ku të lahet e të bëj një dush, për pensionintë cilin nuk e përfiton dot edhe pse ka 15 vite pune si naftëtare, për ndihmën ekonomike që nuk e përfiton dot pasi i shoqi merr 12000 lekë pension dhe këto sipas atyre që ia mohojnë të drejtën e saj i dalkan e i teprokan, për aksidentin e pësuar kur punonte te një lokal aty afër, e për shumë e shumë gjëra të tjera.
Ne si familje jemi të persekutuar, – vazhdon e rrëfehet Maria, – babanë tim e dënuan 10 vjet burg për agjitacion e propagandë vetëm për një fajlë goje. Ai punonte si kuzhiner në një mensë dhe tha si pa të keq: – Pse, nuk kemi sheqer sot? Ja vetëm për kaq e morën dhe e futën në burg të Spaçit. Unë isha nxënësja më e mirë e shkollës, më doli bursa për oficere në shkollën Skënderbegas, po ndodhi që babai im u dënua dhe unë nuk shkova dot në shkollë. Tani unë ndihem sërish e persekutuar, unëkam qenë naftëtare, kam punuar 15 vjet, pse të mos e marr edhe unë një pension?
Ajo nuk rri pa treguar edhe për pulat që ia vodhën. – Kisha 5 pula po mi vodhën të pesta. Rruga jonë nuk ka ndriçim dhe këtu vijnë e mblidhen drogaxhinjtë e hajdutët. Kemi kërkuar përveç dy a tri shtyllave elektrike edhe nja dy kosha për plehrat se i kemi shumë larg. Kam shkuar e jam ankuar kudo po nuk ta vë veshin njeri. Nuk i duam te dera e shtëpisë po të paktën të jenë në hyrje të lagjes ose te fillimi i rrugës. Ne bëjmë gati një kilometër rrugë për të hedhur plehrat.
Reagimi i Bashkisë së Fierit.
Ne pyetëm edhe kryetarin e Bashkisë në lidhje me zgjidhjen e problemit të plehrave që e shqetëson më së shumti këtë zonë dhe banorët e saj si dhe për probleme të tjera të cilat kërkojnë zgjidhje për t’ia lehtësuar jetën disi këtij komuniteti. Si duket tejet i zënë me emergjencën e përmbytjeve në Darzezë, akoma nuk na ka kthyer një përgjigje. Të vetmin prononcim për problemin e tapive, për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës, koshat e plehrave dhe ndriçimin e zonës që do e bënte pronën dhe jetën e këtyre banorëve më të sigurt, e dha zj Irma Hoxha e cila është përgjegjëse e zyrës së shtypit në Bashkinë e Fierit. – Përsa i përket tapive, bashkia Fier është në proces për nxjerrjen e çertifikatave të pronësisë për fshatrat Daullas, Afrim. Nëse kjo zonëështë në territorin e këtyre dy fshatrave duhet të presin përfundimin e procesit. Nëse nuk ështëpjesë e këtyre fshatrave, ku procesi ka nisur në mënyrëmasive dhe është nismë e Bashkisë Fier, mund të paraqiten edhe individualisht me dokumentacionin përkatës në Bashki për nisje të procedurave.
Në lidhje me çështjen tjetër, mund t’ju them see gjithe zona ka një sërë problemesh dhe për këtë po punohet për të siguruar një studim të plotë dhe të detajuar, që do të mund t’i jepte zgjidhje çdo shqetësimi të banorëve të zonës duke nisur që nga kanalizimet, deri te shërbimet e tjera publike.

E mirëkuptojmë faktin që duhet një studim i mirëfilltë përsa i përket problemeve infrastrukturore, por që të duhet një studim edhe për vendosjen e dy koshave këtë gjë nuk dimë se si ta quajmë. E megjithatë deri sa të kryhet e të vihet në zbatim studimi në fjalë banorëve do iu duhet të presin e të përballen me hallet dhe shqetësimet e tyre të përditshme.

SHKARKO APP