Vlora në rikonstruksion – FSHZH: Restaurim godinave historike (FOTOT)

Ministria e Kulturës dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit së bashku me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim AADF, në prag të sezonit turistik nisën realizimin e projektit për rijetëzimin e qendrës historike të qytetit të Vlorës. Sipas FSHZH sheshi para bashkisë po shtrohet me pllaka guri, ndërsa në rrugën “Justin Godart” rikonstruksioni i infrastrukturës nëntokësore është drejt përfundimit. “Hapi i radhës është shtrimi i trupit dhe trotuareve me pllaka guri. “Justin Godart” do të jetë e dedikuar për këmbësorët dhe e pajisur me ndriçim, gjelbërim dhe mobilim urban”, bën me dije njoftimi.

Sipas organit është gjithashtu duke u punuar paralelisht për restaurimin e godinave historike në zonën B, unifikimin e fasadave për të nxjerrë në pah historinë dhe bukurinë e tyre. “Trashëgimia kulturore dhe historike është një aset i rëndësishëm i qyteteve me ndikim në zhvillimin ekonomik të tyre. Nga ana tjetër, rijetëzimi i vlerave kulturore dhe historike nxit rigjallërimin e traditave dhe promovimin e vlerave kombëtare,” mbyll mesazhin FSHZH.

SHKARKO APP