Vrasja në Vlorë, gazetari zbulon detaje të reja: Makina e autorëve u qëllua me pistoletë, më pas…

Vrasja e Tauland Manajt (Gjikaj), në mes të ditës dhe në një nga zonat më të populluara të Vlorës, rikthehu edhe një here frikën në qytetin bregdetar, i njohur për ngjarje të rënda kriminale.

Për të folur rreth kësaj teme, i ftuar në “Intervistën e ora 16:00” në RTV Ora ishte gazetari i kronikës në Ora News, Elton Qyno.

Sipas gazetarit, ka shumë individë me rekorde kriminale që edhe pse i nënshtrohen të gjitha procedurave gjyqësore, sapo dalin nga burgu bëhen sërish personazhe të ngjarjeve kriminale.

“Tauland Manaj (Gjika) në momentin që është kryer krimi ka qenë në shërbim prove. Pra, që nga 2019, kur Gjykata e Apelit e kishte caktuar masën e sigurimit dhe pezulluar pjesën e dënimit duke e lenë me y vjet në shërbim prove, ai qarkullonte i lirë në qytetin e Vlorës me armë pa leje. Pra, kemi një ngjarje që edhe pse i është nënshtruar të gjithë ingranazhit apo hinkës gjyqësore nga ana e sistemit të drejtësisë, sërish ka çeduar duke mos çuar drejt edukimit apo rikuperimit të një individi siç ishte Tauland Manaj. Kemi edhe qindra e qindra raste të tjera në rrethe të tjera, madje edhe në Vlorë, të cilët edhe pse dënohen, edhe pse i nënshtrohen të gjitha proceseve gjyqësore, sërish, sapo dalin nga burgu 1 ose 2 muaj janë sërish njerëzit që prodhojnë ngjarje kriminale”, tha ndër të tjera Qyno.

Gazetari i Ora News zbuloi edhe detaje të reja nga ngjarja e 3 marsit në Rrugën Transballkanike.

“Ngjarja e 3 marsit u dyshua se kishte të bënte me konfliktin e ndodhur në vitin 2018 kur mes dy grupeve në Vlorë pati një shkëmbim zjarri por në fakt, ngjarja e 3 marsit ka të bëjë me një konflikt aty për aty pasi palët janë ofenduar dhe konfliktuar në telefon, por edhe verbalisht sapo janë takuar. Faktikisht, nga të dhënat e mia, rezulton se edhe vetë personat që kanë qëlluar, tre personat që kanë qenë në automjetin “Ford Fiesta”, Elton Hajnaj, Skerdjan Grabjani dhe personi i arrestuar Ansi Jonuzaj janë qëlluar me një pistoletë dhe plumbi ka hyrë në pjesën e prapakolpit dhe më pas ka ngelur në pjesën e kabinës. Pas kësaj të shtëne kanë dalë nga makina dhe kanë hapur zjarr ndaj Tauland Manajt.

Tani, deri në këtë faze të hetimit, nuk dihet kush ka qëlluar në drejtim të tre personave që udhëtonin me “Ford Fiestan”. Ka qëlluar pikërisht Taulant Manaj apo ka qëlluar një shok i tij, i cili ende nuk është identifikuar dhe po kërkohet nga policia? Por është fakt që, makina e autorëve është qëlluar në fillim me një plumb pistolete dhe më pas kanë qenë këta që kanë reaguar dhe duke e qëlluar me automatik. Ata kanë qëlluar 5 herë por në trup i janë gjetur tre plumba.

Sipas Qynos, Vlora së bashku me Shkodrën, Durrësin, Fierin dhe Elbasanin rënditet mes qarqeve me aktivitet të lartë kriminal.

VRASJA

Mesditën e 3 marsit 2021, viktima i njohur dhe si Tauland Manaj, por që kishte edhe dy mbiemra të tjera Beqiraj dhe Gjika, ishte duke ecur në këmbë në rrugën “Transballkanike” pranë Gjykatës së Apelit ku ndalohet nga dy persona që i afrohen.

Ata duket se flasin për pak sekonda duke lënë të kuptohen se edhe mund të njihen dhe më pas njëri prej dy autorëve e ka qëlluar me breshëri kallashnikovi duke e lënë të shtrirë në tokë 31-vjeçarin.

Ai humbi jetën në spital pak minuta më vonë. Për këtë ngjarje vijojnë të jenë ende në kërkim, dy autorët e tjerë të krimit Skerdjan Gabrani e Elton Hajnaj.

SHKARKO APP