Zbulohet një tjetër ilaç që kuron koronavirusin, efekte pozitive te pacientët
Infektologu Sali Ahmeti thotë se trajtimi i pacientëve me COVID -19 me plazmë konvalescente mund të rezultojë me efekte të mira te pacientët që e marrin këtë trajtim në kohën e duhur.
Pas nënshkrimit të udhëzuesit për trajtim me plazmë konvalescente të pacientëve me sëmundjen COVID-19 si terapi mbështetëse, nga ana e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, tash janë duke u shikuar anët teknike se si do të realizohet kjo metodë, thotë Ahmeti njëherë kryesues i grupit punues për hartimin e protokollit për përdorimin e plazmës konvalescente.
Data e fillimit të përdorimit të kësaj metode ende nuk është e caktuar. Por, sipas infektologut Ahmeti, kjo metodë do të nisë shumë shpejt, pasi të bëhet edhe grumbullimi i plazmës nga vullnetarët, persona që tani kanë kaluar sëmundjen COVID-19, që e shkakton coronavirusi.
Trajtimi i pacientëve me COVID -19 me plazmë konvalescente bëhet duke marrë plazmën e gjakut nga pacientët e shëruar nga koronavirusi, pasi që gjaku i tyre ka antitrupa që luftojnë virusin. Transfuzioni i antitrupave besohet se krijon atë që njihet si “imuniteti pasiv” te të prekurit me COVID-19.
Transfuzioni, i gatshëm të nisë procesin
Ndarja e gjakut nga plazma bëhet në transfuzionin e gjakut.
Kjo metodë e trajtimit përmes plazmës është aplikuar në vazhdimësi për shumë sëmundje brenda Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Bukurije Zhubi, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut (QKKTGJ), tha se ky institucion është i gatshëm të fillojë me grumbullimin e plazmës konvalescente.
“QKKTGJ-ja është e gatshme që të grumbullojë plazmën nga personat që e kanë kaluar dhe janë shëruar nga COVID-19 dhe që të njëjtit plotësojnë kushtet e dhuruesit të zakonshëm”, tha Zhubi.
Sali Ahmeti thotë se në bazë të informacioneve që ata kanë, efektshmëria e mjekimit me plazmëm konvalescente, sipas përvojave të vendeve tjera, është e ndryshme, diku me efekte më të mëdha e diku më pak.
Megjithatë, sipas tij, efektshmëria varet jo vetëm nga dhënia e saj, mirëpo edhe nga pacienti i cili e merr dhe koha më e përshtatshme e aplikimit të kësaj metode.
Dhënia sa më e hershme e kësaj plazme, shton Ahmeti, ka efekte më të mira.
“Efektshmëria më e mirë e saj është nëse ajo jepet së paku nga dita e shtatë deri në ditën e 15-të, pasi që ajo është një plazmë e zakonshme e cila dallon prej plazmës rutinore, për faktin se përmban antitrupa të gatshëm të cilët do t’i kundërvihen virusit”, thotë Ahmeti.
Në Kosovë, trajtimi për personat e infektuar me koronavirus vazhdon të jetë si terapi mbështetëse dhe përfshin dhënien e vitaminave të ndryshme, trajtimin me okigjenoterapi dhe me ilaçe antipiretike dhe analgjetike.
Britania ndërpren trajtimin e pacientëve me plazmën e gjakut
Ndryshe, shumë vende të botës tani më kanë bërë trajtimin e pacientëve me COVID-19 me plazmën e gjakut të pacientëve të shëruar nga kjo sëmundje.
Ndërkaq, sipas BBC-së, Britania ka ndërprerë përkohësisht këtë formë të trajtimit të pacientëve me koronavirus.
Sipas disa të dhënave të fundit, të një studimi të bërë nga Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar, në bashkëpunim me Universitetin e Oxford-it, thuhet se trajtimi i pacientëve me COVID-19 me plazmën konvalescente, nuk ulë numrin e vdekjeve te pacientët e shtrirë në spital.
Sipas këtyre të dhënave të analizimit për 1,873 raste që kanë përfunduar me fatalitet në Britani, trajtimi me plazmën e gjakut “nuk ka bërë ndonjë diferencë të madhe”.
“Tetëmbëdhjetë për qind e pacientëve që janë trajtuar me plazmën konvalescente kanë vdekur brenda 28 ditësh – që është shifra e njëjtë me pacientët që kanë marrë trajtim standard për koronavirus”, thuhet në të dhënat paraprake të studimit.
Ndërkaq, në janar të këtij viti, Komisioni Evropian njoftoi se do të mbështesë një sërë projektesh, për trajtimin e koronavirusit me plazmën konvalescente.
Trajtimi përfshin transfuzionin e plazmës konvalescente te pacientët e sëmurë, në mënyrë që t’ua përmirësojë imunitetin dhe aftësinë e tij për të luftuar virusin. Po ashtu, kjo formë e trajtimit do të mund t’i ofronte industrisë së shëndetësisë që të pastrojë antitrupat dhe të bëjë një produkt shëndetësor për COVID-19 (imunoglobinën)
“Për efikasitetin e këtyre dy qasjeve po kryhen hetime në mbarë botë, përfshirë edhe nga projektet që BE-ja financon. Këto dy lloje të trajtimeve mbështetjen në grumbullimin e sasive të mëdha të plazmës konvalescente nga pacientët e shëruar nga COVID-19”, tha Komisioni Evropian.
Sipas këtij institucioni të BE-së, rezultatet e para janë premtuese, me pak të dhëna që tregojnë për raste kur ka pas efekt të kundërt. Rezultatet e tjera priten të dalin pas provave klinike.
“Rezultatet e deritashme sugjerojnë se transfuzioni më i hershëm (i plazmës së gjakut) nga donatorët, kanë më shumë antitrupa dhe ofrojnë më shumë efikasitet në uljen e vdekshmërisë te pacientët me koronavirus”, thotë BE-ja.
Rastet e para me COVID-19 në Kosovë janë shënuar me 13 mars të vitit 2020. Që atëherë janë regjistruar 56.412 persona të infektuar. Prej tyre, 1.420 kanë vdekur, ndërsa 49.713 pacientë janë shëruar. /rel