Zbulohet një variant i ri i virusit në Afrikë
Një variant i ri i koronavirusit është identifikuar në Angola, Afrikë dhe mbart më shumë mutacione sesa çdo lloj i identifikuar më parë. Një ekip i udhëhequr nga Tulio de Oliveira, në Universitetin KwaZulu-Natal në Durban, Afrika e Jugut dhe Silvia Lutucuta, në Ministrinë e Shëndetësisë të Angolës në Luanda, identifikuan variantin pas marrjes së mostrave nga tre persona që fluturuan në Angola nga Tanzania në Shkurt 2021.
Mediat kanë raportuar se varianti, i quajtur A.VOI.V2, mbart 34 mutacione, përfshirë 14 në proteina spike, të cilat virusi përdor për të infektuar qelizat. Varianti meriton studim të mëtejshëm, thonë autorët, sepse mbart mutacione që mund ta ndihmojnë atë të shpëtojë nga përgjigjet imune të disa njerëzve. Gjetja nuk është shqyrtuar ende nga kolegët.
Ndërkohë kujtojmë se deri më tani në gjithë botën janë konfirmuar vetëm tre variante zyrtare të Covidit, varianti britanik, brazilian dhe ai i Afrikës së Jugut. Por kohët e fundit edhe vende të tjera të botës kanë raportuar për variante të reja që besohet se janë vendase pasi nuk kanë ngjashmëri me variantet e konfirmuara më parë.