ZGJIDHJA: Ekonomia e kanabisit të çlirohet nga krimi

Partia ZGJIDHJA kërkoi sot që ekonomia kombëtare e kanabisit të çlirohet nga duart e krimit të organizuar. Në deklaratën për shtyp ZGJIDHJA i referohet miratimit, dy ditë më parë, të rezolutës nga deputetët e Parlamentit Europian, që i bënë thirrje Komisionit Europian dhe autoriteteve kombëtare të shteteve anëtare të BE-së, që të legalizohet dhe përdoret kanabisi mjekësor. Ndër shtetet e rajonit, vetëm Shqipëria nuk ka marrë asnjë hap për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe kthimin e tij në ekonomi kombëtare, siç po bëjnë Greqia apo Maqedonia e Veriut, ndonëse kryetari i ZGJIDHJA-s, Koço Kokëdhima, e propozoi këtë që në nëntor 2014, kur ishte deputet i PS-së.

Deklarata e Partisë ZGJIDHJA

Në një rezolutë të miratuar dy ditë më parë, deputetët e Parlamentit Europian i bënë thirrje Komisionit Europian dhe autoriteteve kombëtare të shteteve anëtare të BE-së, që të legalizohet dhe përdoret kanabisi mjekësor. Rezoluta nxit Komisionin Europian dhe shtetet anëtare për të hequr barrierat rregullatore, financiare dhe kulturore, të cilat përfshijnë hulumtimet shkencore dhe i fton ata që të financojnë siç duhet kërkimet në ketë drejtim. Vendet që aktualisht kanë të tilla programe janë Kroacia, Danimarka, Finlanda, Norvegjia, Polonia dhe Suedia. Çekia, Gjermania, Italia dhe Holanda kanë një program të aksesit të vendosur; Luksemburgu dhe Portugalia miratuan ligje për përdorimin mjekësor të kanabisit në vitin 2018.

Në rajon, Maqedonia e Veriut, prej mëse një viti ka dhënë licenca për prodhimin e nënprodukteve të kanabisit. Një fabrikë në Shkup prodhon produkte të kanabisit medicinal në formë të vajit, ndërsa kompania amerikane, NYSK, ka hapur një repart në Ohër për prodhimin e 20 llojeve të kanabisit medicinal për nevojat e vendit dhe të shteteve europiane.

Prej dy vitesh Greqia e legalizoi kanabisin për përdorim mjekësor dhe prej nëntorit të shkuar ka vënë në zbatim një projekt historik për licencimin e kompanive të para në fushën e farmaceutikës. 14 licenca pritet të krijojnë më shumë se 750 vende pune dhe të gjenerojnë rreth 185 milionë euro investime, ndërsa qeveria greke parashikon që kjo ekonomi, deri pak kohë më parë e paligjshme, të gjenerojë disa miliarda dollarë.

Në Itali që në fillim të këtij viti po debatohet për legalizimin e kanabisit dhe përfaqësues të Lëvizjes “5 Yjet” kanë depozituar në parlament, një draft-propozim që në një banesë mund të kultivohen 4 bimëve kanabis, një prej të cilave të jetë me qëllim terapeutik, ndërsa 3 të tjerat rekreative. Vetëm Shqipëria ka mbetur jashtë kësaj harte të ekonomisë kombëtare të kanabisit dhe përdorimit të tij për qëllime mjekësore, ekonomike dhe rekreative. Dy ditë më parë, duke iu referuar shifrave të Guardia di Finanza, qeveria shqiptare rrahu gjoksin se ishte ulur dramatikisht sipërfaqja e mbjellë me kanabis dhe sasia e kapur. Dhe si për ironi të fatit, po atë natë, në Kapshticë, u kap mbi një ton kanabis, që po tentohej të kalonte në Greqi.

Kryetari i partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, prej 5 vitesh kërkon legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, heqjen e bimës së çmuar nga duart e krimit të organizuar dhe kthimin e saj në ekonomi të kontrolluar nga shteti si dhe ndryshimin e Kodit Penal për të dekriminalizuar përdoruesit, shumica të rinj që mbahen në burgje. ZGJIDHJA deklaron se partitë e vjetra nuk duan ta heqin nga duart këtë monopol dhe përfitimet e jashtëligjshme që marrin në bashkëpunim me krimin e organizuar, duke ia mohuar ekonomisë kombëtare dhe popullit, legalizimin e kanabisit, edhe pse vendi po del nga ekonomia botërore e kanabisit.

ZGJIDHJA uron që atëherë të mos jetë vonë, por ajo në pushtet do ta realizojë këtë objektiv që shkëput lidhjet e politikës me krimin dhe që e kthen atë në ekonomi në shërbim të vendit dhe të shqiptarëve.

SHKARKO APP