“Zgjidhja”: Qeveria bën terror te Bregu i Lumit

Lidhur me ngjarjet që u shënuan sot me banorët e Bregut të Lumit të cilëve po u shemben banesat pa u kompensuar, ka reaguar sot edhe Partia “Zgjidhja”. Përmes një deklarate për shtyp, “Zgjidhja” akuzon Qeverinë se po bën terror me banorët që preken nga projekti i Bulevardit të Ru të Tiranës.

Deklarata

Qeveria dërgoi pa u zbardhur dita forcat e ndërhyrjes së shpejtë për të nxjerrë nga shtëpitë e tyre banorët e Bregut të Lumit. Pamjet e përleshjeve që nisën dje dhe kulmuan sot në mëngjes me dhunimin dhe përgjakjen e banorëve tregojnë natyrën e vërtetë kriminale të kësaj qeverie antipopullore.

Qytetarët janë viktimat e etjes së qeveritarëve dhe klientëve të tyre për fitime. Ata kanë planifikuar shumëkatëshet e tyre përgjatë bulevardit të ri.

Drama e këtyre banorëve ka nisur vite më parë, kur bashkinë e Tiranës e drejtonte PD-ja. Lulzim Basha e nisi i pari kërbaçin ndaj tyre. Pasi u ndesh me rezistencë, qeveria ‘Berisha’, firmosi dy VKM, ku një metër katror banesë dëmshpërblehej 23-26 mijë lekë, në një kohë kur vlera e apartamenteve në atë zonë sot shkon disa herë më shumë. Por edhe këto para nuk u dhanë.

‘Zgjidhja’ ka kërkuar vazhdimisht që banorët e ndërtimeve që prishen për projekte publike të dëmshpërblehen me çmimin e tregut. Asnjë ndërtesë informale nuk duhet prishur pa u shpronësuar, sepse ato janë bërë me nxitjen e qeverive dhe të zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar për interesa politike, apo korruptive.

Terrori i sotëm në Bregun e Lumit, drama që vijon te ‘Astiri’ dhe kudo tjetër nëpër Shqipëri, është pasqyra e vërtetë e pushtetarëve të djeshëm dhe të sotëm. Dhe që të mos vazhdojë më shkatërrimi i pronave të qytetarëve, duhet shkatërruar elita e vjetër politike.

#ZgjidhjaPërQytetarët

SHKARKO APP