Zgjidhjet kushtetuese për krizën politike në Kosovë

Nga Gjet KOLA –
Partia Vetvendosje është krijuar para miratimit të Kushtetutës së Kosovës, megjithatë ajo nuk arriti të ketë ndikim sepse Republika e Kosovës nuk u krijua në bazë të parimit të vetvendosjes si shtet i shumicës shqiptare, por si një shtet i qytetarve të barabartë ku shumica shqiptare mund të marrë të gjitha vendimet që i interesojnë vendit, por asnjë vendim që prek interesat e popujve të tjerë kushtetues, kur ata nuk janë dakort.
Shteti i Kosovës nuk u krijua në bazë të së drejtës së vetvendosjes të fituar në Kuvendin e Prizrenit të 10 korrikut 1945 të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit, të marrë në bazë të vendimeve të KAҪKJ-së në Jajcë me 29 nëntor 1943. Me vendimin e Kuvendit të Prizrenit, shqiptarët fituan të drejtën e vetvendosjes baraz me popujt e tjerë të federatës, për arsye se të vendim e ka miratuar menjeherë organi i përkohshëm federative, KAҪKJ (AVNOJ), ishte vendimi i parë i Kuvendit Federativ pas zgjedhjeve të përgjithëshme, ndërsa Kuvendi i Serbisë, do ta miratone atë vendim vetëm si organ i zgjedhur në gusht të vitit 1945. Pas atyre vendimeve Kosova nuk mund të trajtohej si një territor i pushtuar nga Serbia, por i barabartë me popujt kroat, slloven e malazias të cilët kishin paraqitur kërkesë për bashkimin me Serbinë dhe princi trashëgimtar Aleksandër Karaxhorxhi me dekret të datës 1 dhjetor 1918, do pranonte vendimin e kroatëve dhe sllovenëve për t’u bashkuar me Mbretërinë e Serbisë.
Ushtria, policia dhe institucionet serbe u larguan nga Kosova pas bombardimeve të NATO-s më 1999, ndërsa shteti i Kosovës u njoh i pari nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e vendeve të BE-së, si një rast i veçantë në histori, për të shmangur dhunën ushtarake e policore serbe mbi shumicën shqiptare. Ky qëndrim është reflektuar në preambulën e Kushtetutës së Kosovës ku përdoret ne populli i Kosovës, dhe jo ne populli shqiptar megjithëse shqiptarët përbëjnë shumicën absolute. Në nenin 5 është sanksionuar se gjuhët shqipe e serbe janë gjuhë zyrtare, ndërsa gjuhët turke, boshnjake dhe rome janë gjuhë locale. Republika e Kosovës është e para që dialektin boshnjak të serbo-kroatishtes e njeh gjuhë më vete. Se vetvendosja mbetet aspiratë për popullin shqiptar në Kosovë, është shprehur në pikën 1 të nenit 6 [Simbolet] të Kushtetutës së Kosovës, ku është sanksionuar: “1. Flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës të cilat pasqyrojnë karakterin shumetnik të saj.”
Zgjedhësit në Kosovë e votuan Partinë Vetvendosje dhe kryetarin e saj Albin Kurti për meritën historike se nuk iu bashkua aktit të tradhëtisë së shumicës për ti dhuruar Malit të Zi edhe 82,23 km2 (8223 ha) të territorit të Kosovës, kur principata e Malit të Zi në mesin e shekullit XIX shtrihej në një territor prej rreth 2,000 km2 (dymijë) ndërsa pjesën tjetër i ka territore etnike arbënore. Përderisa nuk ka patur consensus për atë akt, dhe për shkak se bie ndesh drejtë për drejtë me pikën 2 të nenit 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës se: “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj.”, ai vendim i Kuvendit të Kosovës duhet të verifikohet me referendum popullor dhe jo me arsyetimin se Kosova e kishte territory të tepërt se dikush e kishte hequr një vijë në hartë. Po kështu zgjedhësit e votuan këtë parti dhe për qëndrimin se do të kushtëzojë heqjen e taksës qind për qind mbi mallrat e importuar nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina me reciprocitet. Si vendimi i Kuvendit për ti dhuruar Malit të Zi nga territoret arbënore-shqiptare edhe 82,23 km2 për shkaqet që parashtrova më lart, dhe vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e taksës qind për qind, janë antikushtetues dhe për këtë arsye vendimi për taksën nuk duhet të shfuqizohet por të anullohet. Duke patur parasysh se koha mund të vërtetonte qëndrime të tilla, ligjvënsi në pikën 2 të nenit 81 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka sanksionuar: “ Asnjëri nga ligjet me interes vital, nuk mund t’i nënshtrohet referendumit.” Pra Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë asnjë të drejtë të miratojnë ligje ose akte nënligjore që cënojnë interesat e serbve e të myslimanëve në Kosovë. Ata nuk mund ti privojnë nga e drejta për të blerë mallra në Serbi e Bosnje Hercegovina dhe të punësojnë bashkë kombasit e vet. Komunikimi me bashkëkombasit e vet përbën interes vital për ta, prandaj jo vetëm Qeveria nuk legjitimohet t’ua cënojë këtë të drejtë me akte nënligjore, por në bazë dispozitës së cipërcituar të Kushtetutës, nuk kanë të drejtë as t’ia nënshtrojnë referendum. Kjo është zgjidhja që jep drejtë për drejt Kushtetuta e Republikës së Kosovës, dhe jo nisur nga fakti se Serbia ka rreth pesë herë më shumë tokë bujqësore për frymë se Kosova, dhe është e gjithnjë do të jetë tregu më i madh agro-ushqimor për të.
Aleanca për krijimin e qeverisë midis Vetvendosjes një parti revolucionare që e kërkon ndryshimin menjëherë dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti tradicionale me program të djathtë, pragmatiste dhe oportuniste, ishte një aleancë e vështirë sepse duhesh arritur harmonizimi i dy programeve të ndryshme me këndvështrime të ndryshme politike, si për taksën etj. në funksion të zhvillimit të Kosovës, Por çuditërisht në praktikë Kryeministri Albin Kurti nuk u tregua revolucionar por institucional mbasi u detyrua ta shkarkojë ministrin e LDK-së Agim Veliu vetëm pasi u provokua prej tij me qëndrim kundër programit të qeverisë dhe në mbështetje të idesë së Presidentit Thaçi. Rezultoi se LDK nuk deshi të kuptonte se lidershipin e ka kryeministri, dhe se asnjë ministër i saj nuk mund ti bëjë karshillëk qeverisë, që pastaj të shkojë të mburret në zonën e vet ja unë e kundërshtova kryeministrin, ne në fakt jemi ata që qeverisin, etj.. Secili ministër, në çdo kohë është i lirë të mos jetë dakort me programin e qeverisë por duhet të flasë publikisht kundër programit e vendimeve të saj vetëm mbasi të ketë dhënë dorëheqjen.
Për të kuptuar diferencën midis liderit dhe bashkë punëtorve, edhe ai që nuk ka lexuar asnjë libër politik, mund ta kuptojë duke parë konferencat e shtypit e qëndrimet e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump. Zv/Presidenti Mëhill (Mike) Pence është zgjedhur me votim të drejtë për drejtë nga votuesit amerikanë bashkë me presidentin Trump, por ai në asnjë rast nuk demostron në public qëndrime personale që të venë në dyshim sovranitetin e vendimeve të presidentit edhe pse personalisht mund të ketë rezerva. Qëndrimet e liderëve dhe të institucioneve në Kosovë flasin për mungesë kulture në përgjithësi dhe të kulturës politike në veçanti, por dhe për mosnjohje të traditës historike arbënore ku vendimi i marrë në kuvende duhej të zbatohej, pavarësisht se si e përjetojnë të tjerët.
Mark Tran, në komentet e bëra shkrimeve të bashkëpunëtorit të Presidetit Amerikan Xhorxh Bush, Karl Rove, shkruan: “Gjatë gjithë karrierës së tij, George Bush kultivoi imazhin e njeriut të zakonshëm. Për dallim nga Al Gore ose John Kerry, ai ishte një djalë që Amerikanët do të ishin të lumtur të pinin një birrë me – pra, lëng frutash ndoshta, pasi presidenti hoqi dorë nga shishja shumë kohë më parë.
Tani vijnë prova të pakontrollueshme që personi i gungave të vendit të Bushit ishte pak përpara. Karl Rove, në një pjesë për Wall Street Journal, na tregon se nën atë ekspozitë të jashtme , Bushi ishte, nëse jo saktësisht një intelektual, një lexues i etur. Sipas Rove – shpesh i referuar si truri i Bushit – të dy garuan për katër vitet e fundit mbi ata që lexuan më shumë libra. Në fund të vitit 2006, Bush kishte lexuar një libër me shumë respekt për 110 në Rove’s 110. Që funksionon në rreth dy libra në javë – një shfaqje mjaft mbresëlënëse për mjeshtra të tillë të vërtetë të universitetit.” Pra Xhorxh Bush, nipi i një biznesmeni të njohur, djali i babait ushtarak, ambasador, drejtor të CIA-s, në dy mandate zv/president dhe një mandate president i SHBA-së dhe i nënës Barbara ministre në disa Qeveri të SHBA-së, vetë i diplomuar në Harvard, edhe kur kryente detyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbasi jepte zgjidhje problemeve të dala në katër anët e planetit, në interes të SHBA-së por dhe popujve të tjerë, gjente kohë për të lexuar 110 libra në vit. Kushdo që njeh realitetin mund të jetë plotësisht i bindur se shumica e ministrave në Shqipëri e Kosovë, që nga krijimi i shtetit shqiptar e deri më sot, edhe pse shumica mund të jenë minimalisht pinjollë të gjyshërve analfabetë, përveç librave shkollorë, nuk i kanë lexuar 440 libra jashtë shkollorë sa ka lexuar Bush, vetëm në një mandat katër vjeçar në detyrë.
Kjo pasqyrohet edhe në qëndrimin e Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi që kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtë zakonëshme për pandeminë. Në librin “Traktati i dytë për qeverisjen dhe shkrime të tjera”, që John Locke e shkruajti më 1690 i përkthyer në shqip me mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, e botuar nga shb “Dita 2000”, ai parashtron rrugë zgjidhjen për rastet kur një problem i caktuar nuk është i rregulluar me ligj. Zgjidhjen e rasteve të tilla ai ia njeh si prerogativë qeverisë. Pra dhe në rastin e Kosovës, zgjidhjet praktike në frymën e kushtetutës dhe ligjeve i ka qeveria. Pozita e presidentit është sanksionuar në nenin 83 të Kushtetutës së Kosovës, se: “Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës.” Ai duhet të ndërhyjë vetëm në rastin e mosveprimet të Qeverisë dhe të institucioneve kompetente. Edhe në këtë rast vlen përvoja e Britanisë së Madhe. Mbretëresha Elizabet II, mandaton kryetarin e qeverisë, emëron të gjithë gjyqtarët, titullarët e shërbimit të trupit diplomatic si dhe miraton listat e punonjësve të atij shërbimi, emëron gjithë ushtarakët e lartë, jep tituj dekorata etj. por nuk ndërhyn në atë që nihet si prerogative e qeverisë.
Pyetje shtrohet: Ҫfarë zgjidhje do të japë tani Gjykata Kushtetuese e Kosovës, që e shpalli jo kushtetues pas datës 14 prill 2020, vendimin e Qeverisë Kurti për marrjen e masave të jashtë zakonëshme për përballimin e pandemisë së shkaktuar nga virusi Covid-19, bazuar në dy ligje organike, kur të gjithë qeveritë në botë kanë zbatuar prerogativën, duke marr masa të jashtë zakonshme, të pa parashikuara në dispozita eksplicite të kushtetutës, por në frymën e kushtetutës për mbrojtjen e qytetarve, në një situatë që nuk ka ndodhur asnjëherë në histori?
Edhe këtij problem i kanë dhënë zgjidhje romakët dy mijë vjet më parë. “Salus Populi Suprema Lex” (E mira e popullit është ligji më i lartë) thonin ata. Edhe këtu shtrohet pyetja: Masat e parashikuara në atë akt të qeverisë, a e cënonin jetën dhe interesat e qytetarvëe apo ishin për të shmangur një tragjedi të mundëshme e për të minimizuar humbjet e jetëve njerëzore? A duhej që qeveria të mos vepronte dhe të vdisnin nga Covid -19 një numër shumë më i madh i qytetarëve të Republikës së Kosovës, se situate që ka shkaktuar ky virus nuk parashikohet dhe nuk rregullohet me Kushtetutë?
Personalisht nuk e kam patur të qartë pse në Kushtetutën e Republikës së Kosovës nuk parashikohet krijimi i qeverisë nga partia e renditur e dyta në zgjedhje në këtë rast Lidhja Demokratike e Kosovës, kur e para Partia Vetvendosje nuk do të arrinte të krijonte shumicë qeverisëse, fjala vjen si në Izrael, ku meqenëse, në dy zgjedhje, nuk e siguroi shumicën fituesi i vendit të parë, dy herë presidenti i dha mandatin fituesit të vendit të dytë, për të kaluar në zgjedhje të treta të përgjithëshme me qeveri kujdestare.
Pas humbjes së shumicës në votbesimin e Qeverisë Kurti, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk lejon pirueta partive politike, institucioneve dhe as Presidentit Hashim Thaçi, por ofron dy rrugë:
Në pikën 5 të nenit 95, ka sanksionuar: “ Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.” Në këtë rast, Presidenti dhe partitë kundërshtare duhet të lusin Kryeministrin Albin Kurti që të japë dorëheqje dhe të realizohet dëshira e kundërshtarëve të tij dhe e komplotistëve të qeverisë, sepse ai vazhdon të qëndrojë kryeministër në detyrë, i mbështetur nga partia e tij në pakicë, dhe çdo ditë të përballojë me sukses problemet që krijon virusi Covid 19, duke shpëtuar shumë jetë njerëzish megjithëse ka aleate një shëndetsi me resurse të limituara. Ҫdo përpjekje për të krijuar qeveri tjetër kur kryeministri është në detyrë dhe nuk dëshiron të largohet pa vendimin e sovranit, pra pa zgjedhje, do të ishte tentativë për të krijuar qeveri paralele.
Presidentit Hashim Thaçi, Kushtetuta i jep alternativën tjetër në pikën 2 të nenit 82, se: “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.” Kushtetuta është formuluar me qëllimin që Qeveria në veçanti dhe gjithë institucionet e shtetit të Kosovës të mbrojnë interesat e qytetarëve, të japin zgjidhjet më të mira, e të japin llogari para tyre. Në këtë funksion, nga vetë përmbajtja e dispozitës kuptohet se vendi shkon në zgjedhje me qeverinë që ka rënë me mosbesim, në këtë ast me Qeverinë Kurti edhe pse dikujt nuk i pëlqen. Është e drejtë dhe detyrë e Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, që në bashkëpunim me Kryeminstrin Albin Kurti dhe partitë politike në Kosovë, të përcaktojnë se kur duhen organizuar zgjedhjet pas kalimit të pandemisë që ka shkaktuar për mbarë botën virusi Covid 19, ndërsa Qeveria e Kosovës të vazhdojë të punojë për mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga ky virus, me atë program masash të përcaktuara në vendimin e saj, të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, për kohën që do kërkohet të vazhdojnë ato masa pas datës 14 prill.

SHKARKO APP