Zgjohuni prindër, fëmijët po paguajnë llogarinë tuaj!

Nga Motër Teuta Buka

(Një reflektim mbi ngjarjen e Kavajës)

Ngjarjet e fundit ne Kavajë, e jo vetëm, kanë tronditur opinionin publik dhe institucionet tona. Analiza nga më të ndryshmet kemi dëgjuar dhe çdo prind apo edukator ka provuar në mendjen e tij të japë një gjykim apo, shtyrë nga keqardhja dhe mosbesimi për atë çka i dëgjojnë veshët, ka nxjerrë edhe konkluzione duke ia vënë fajin dikujt. Mendoj se si institucione të Kishës e për më tepër që i jemi përkushtuar edukimit të gjithanshëm e të plotë të brezit të ri, nuk mund te mos ndalemi për të reflektuar për të bërë sa të mundemi më shumë që raste të tilla të mos përsëriten kurrë më. Por më përpara akoma dëshirojmë t’i gjendemi shpirtërisht afër vajzës së mitur dhe familjes së saj në këtë moment të vështirë, dëshirojmë t’i inkurajojmë në betejën e tyre për drejtësi dhe ti bëjmë me dije se nuk janë vetëm.

Duke menduar për rastin e ndodhur, për fat të keq, duket se nuk është dhe aq i izoluar. Ditën e diel, më 10 shkurt, lexova tek Top channel-tv rezultatet e një studimi për adoleshentë, në të cilin rezulton: “1/3 e të miturve ka kryer marrëdhënie seksuale dhe se ¼ e vajzave ka pësuar dhunë verbale dhe fizike përpara, gjatë dhe pas kryerjes së marrëdhënieve”. Këto janë sinjale të tjera alarmi për shoqërinë tonë që duhet të na “dridhin” më shumë, pasi ka gjasa të ndodhë prapë.

Në këto të dhëna apo edhe tek faktet e kronikës fshihen shumë aspekte e përgjegjësi shumëfishe, si prindërore, ashtu edhe institucionale: ministria, kurrikula, mësuesit, komunitetet, dhe mbi të gjitha një dialog i vazhdueshëm i munguar mes të gjithëve për një dakordësi mbi një taban të përbashkët të vlerave dhe të metodologjive të përçimit të tyre brezit të ri. Megjithatë të gjitha këto elemente nënvizojnë përgjegjësinë e ne të rriturve, qofshim prindër, institucione, edukatorë dhe komunitete. Kur them prindër, nuk e kam fjalën për prindërit e djemve apo vajzës viktimë, por prindërve në përgjithësi që me indiferencën ose pavëmendjen e tyre, kanë krijuar një vakum vlerash që shpejt është mbushur me diçka tjetër.

Disa premisa të përgjithshme

Nuk është për t’u anashkaluar roli që ka një mendësi që gjarpëron në Shqipëri: Djali mund të bëjë gjithçka. Kjo i ka ngërthyer djemtë dhe burrat në një lojë tekash që, në rastin e marrëdhënieve të çiftit (jo domosdoshmërisht adoleshentësh), mund të shndërrohet në një agresivitet të verbër, deri edhe vrasës në rastet kur vjen nga ana e partneres një refuzim, mospranim, apo mospërmbushje e aspektativave. Nuk e di nëse në kësi rastesh mund të jetë vetëm vajza viktimë, pasi mua më duket se ky mentalitet ka viktimizuar rëndë edhe djemtë duke i lënë të ngërthyer në instinktet e veta, të paaftë për t’u përballur me jo-të e jetës.

Modele të munguara familjare dhe shoqërore

Mungesa e dëshmisë së dashurisë reciproke në familje dhe zgjidhja e problemeve pa dialog dhe me dhunë brenda saj janë po ashtu klishe, mënyra që përsëriten e përforcohen tek bijtë që i asistojnë ditë për ditë. Po ashtu, dëshmia e munguar e dialogut shoqëror, zgjidhja e konflikteve me dhunë verbale dhe kërcënime, përdorja e imazhit personal të dikujt për hakmarrje e shantazhe publike, krijon një tjetër premisë për një formim të shtrembëruar të të rinjve. Gjetja e justifikimeve për të mos marrë përgjegjësitë prindërore si: Punoj shumë, ndaj nuk kam kohë; ky është brezi i çuditshëm; ç’na prishi ky interneti; po kjo shoqëri kështu etj. Nuk bëjnë gjë tjetër, por tentojnë të largojnë problemin për sa më vonë.

Përgjegjësi konkrete

Më pëlqen t’i trajtoj problemet duke shtruar pyetje sepse në këtë mënyrë jam e përfshirë edhe vetë në përgjegjësitë që na takojnë. Po filloj me prindërit:

 Sa prej prindërve janë rebeluar ndonjëherë për programet televizive të papërshtatshme që fëmijët kanë para që në vogëli? Sa prej tyre lejojnë fëmijët të kenë akses pa limit në internet në youtube dhe sa prej tyre dinë për pornografinë që qarkullon aty?

 Sa prej prindërve kanë biseduar me fëmijët e tyre për këto gjera?

 E sa të tjerë akoma prej tyre dinë apo informohen vërtet për pasojat që lënë në psiken e fëmijës imazhe të tilla. Si ndikojnë ata në ndërtimin e modeleve shoqërore të marrëdhënieve, sidomos kur flitet për marrëdhënie intime?

 Sa prej tyre janë shqetësuar për t’ u mësuar fëmijëve të tyre vetë disiplinimin, aftësinë për t’u privuar nga diçka për një të mirë më të madhe, kalitja e aftësisë për të pritur?

 Sa të tjerë u kanë mësuar fëmijëve çfarë janë emocionet, ndjenjat dhe si mund t’i njohin, t’i shprehin dhe t’i kanalizojnë në respekt të dinjitetit të vet dhe të tjetrit?

 Sa prej tyre u kanë mësuar që dashuria është dhurim, sakrificë dhe kërkim i së mirës së tjetrit dhe jo zhvatje e kënaqësive, duke ia ngatërruar në mendjen e tyre dashurinë me aktin seksual?

Por të gjithë jemi përgjegjës, prindër, edukatorë, komunitete dhe çdo institucion që ka në fokus fëmijët, ndaj pyetjet po i drejtoj në vetën e parë shumës që të gjithë të reflektojmë…

 Sa prej nesh janë kujdesur të lexojnë tekstet e biologjisë, qytetarisë, etj. të fëmijëve të tyre dhe të bëjë një ankesë, një pyetje, apo të mundohet të plotësojë dhe të integrojë informacionet e thata dhe aspak të përshtatshme që aty gjenden?

 Me çfarë kriteri përzgjidhen materialët e librave? Sa hapësirë ka në shkolla që të realizohet një formim njerëzor? Sa mësues dinë për përgjegjësitë që kanë kur konstatojnë raste të bullizmit, të kësaj natyre apo çdo lloji tjetër?

 Sa prej nesh informojnë në mënyrë të drejtë fëmijët që të dinë ku të drejtohen, tek kush të kenë besim, në rast se dikush i kërcënon? Kush u mëson atyre cilat janë shenjat e dukshme të një marrëdhënieje jo të shëndoshë që të dinë të orientohen vetë?

 Sa prej nesh, mësuesve, e jetojmë si mision detyrën që shoqëria na ka dhënë e që vetë kemi përqafuar?

Nuk është pa përgjegjësi këtu edhe media në përgjithësi, jo vetëm për trajtimin e rastit, gjë që nuk është gjë tjetër veçse rrjedhoja e natyrshme e zgjedhjeve të tyre të përditshme të servirjes së programeve. Ajo që çdo ditë konstatojmë në mediat televizive është reduktimi i njeriut vetëm në përformancën e tij, apo më keq akoma, reduktimi i njeriut në paraqitjen e vet trupore, shpesh të ekspozuar në mënyrë provokuese vend e pavend, servirja e modeleve “moderne” të familjeve elastike, ku të rriturit tregohen të papërgjegjshëm për aktet e tyre, ku besnikëria bashkëshortore serviret si e dale mode, ku drama e fëmijëve që e përjetojnë nuk  trajtohet si problem i prindërve. Të gjitha këto nuk bëjnë gjë tjetër veç përgatisin terren për të shumëfishuar modele të tilla.

Konkluzion

Të rinjtë e fëmijët nuk rriten vetvetiu, nuk bëhen njerëz vetvetiu, nuk çlirohen dot nga egoizmi i lindur bashkë me ne vetvetiu, nuk bëhen qytetarë të botës vetiu. Njeriu, si një qenie shoqërore, e mëson artin e jetës në dialog mes brezash të cilët të vetëdijshme për misionin e tyre përzgjedhin me kujdes më të mirën për t’u dhënë, të cilët angazhohen edhe vetë të jetojnë me koherencë vlerat që thonë me gojë, të cilët nuk i braktisin fëmijët e tyre dhe nuk rrinë indiferentë para fenomeneve, thjesht për faktin se tani m’u rritën fëmijët e mi, apo sepse u duket vetja të vegjël a të papërshtatshëm për të dhënë mendimin e tyre

Që të mos ndodhë më

Zgjohuni prindër, zgjohuni edukatorë! Po nuk u zgjuat ju, nuk do të zgjohen institucionet dhe llogarinë do ta paguajnë bijtë tuaj, e bijtë e tyre, por edhe ju vetë. Bëhuni kërkues për çdo gjë që u serviret fëmijëve tuaj dhe mbi të gjitha mos i lini fëmijët vetëm. Të mos na ndodhë që pas habisë dhe keqardhjes të bjerë prapë heshtja dhe monotonia dhe të rrisim një shpresë të rreme se nuk do të ndodhë më. Nëse nuk zgjohemi, do të ndodhë prapë edhe me keq, pasi ata djem janë, si të tjerët, viktima të një papërgjegjësie a indiference të komuniteteve.

Ne jemi të mendimit që këtë vetëdijesim të prindërve do ta ndihmonte edhe bashkëpunimi i institucioneve shtetërore, shkollave, qendrave edukative, Ojf-ve. Ndërhyrja në sistemin arsimor është e domosdoshme dhe duhet të jetë sistemike, si në nivel njohurish, si në nivel itineraresh formuese, si në ndërgjegjësimin e prindërve dhe formimin e tyre. Ndaj le të fillojmë me momente reflektimi me mësuesit tanë që janë edhe prindër, për t’u bërë propozitivë edhe ndaj ministrisë apo institucioneve të tjera, pa u dekurajuar, ndërkohë të mos i lëmë vetëm fëmijët dhe të rinjtë në sfidën e madhe të rritjes së tyre.

*Koordinatore Kombëtare e Edukimit Katolik Shqiptar

/shekulli.com.al

SHKARKO APP