Home Bota Nga faktori i...

Nga faktori islamist tek Imamoglu, ja çfarë e shkaktoi humbjen historike të Erdoganit në zgjedhje

364
0

Shumica e mediave ndërkombëtare e cilësojnë si historike humbjen e partisë së presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në zgjedhjet lokale të së dielës, me humbjen më të madhe të shkaktuar në Stamboll, ku Ekrem Imamoglu u rikonfirmua me 11% diferencë nga kandidati i AKP, Murat Kurum.

Bloomberg në një analizë pas publikimit të rezultateve finale, e përshkruan kryebashkiakun aktual të Stambollit si një “armik” të Erdoganit, duke kujtuar se ishte ai që në vitin 2019 i kishte dhënë fund kontrollit 25-vjeçar të qendrës financiare turke nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP). “Rezultati i së dielës do të jetë një nxitje e madhe për popullaritetin e Ekrem Imamoglu, pasi kryebashkiaku i Stambollit fitoi me më shumë se 11 pikë ndaj të zgjedhurit të Erdoganit, Murat Kurum , ndërsa sondazhet po flisnin për një betejë votë për votë në zgjedhjet për qytetin më të madh turk”, shkruan Bloomberg.

“Ky është vetëm fillimi”, tha Imamoglu të dielën përpara një ‘deti’ me flamuj të kuq turq, me kryebashkiakun e Stambollit që festoi nën zhurmën e këngëve patriotike. Duke dashur, në fakt, të shfaqej unifikues, përballë vizionit për të qenë kundërshtari i madh i Erdoganit në zgjedhjet e 2028-ës, Imamoglu të hënën në mëngjes postoi një video të shkurtër në platformën X me mesazhin: “Fituan 16 milionë Stambollinjë”.

Sipas Bloomberg, disfata e Erdoganit i atribuohet gjendjes së ekonomisë. Nga njëra anë, inflacioni i pakontrolluar dhe nga ana tjetër, kostot më të larta të huamarrjes që nga ardhja në pushtet e presidentit aktual të Turqisë. Rezultatet tregojnë se turqit ia kthyen shpinën AKP-së në pjesën më të madhe të vendit, por disfata për partinë e Erdoganit ishte më dramatike në zonat urbane. “Votuesit duket se e kanë ndëshkuar AKP-në dhe kandidatët e saj për vështirësitë financiare me të cilat po përballen”, tha drejtori i çështjeve evropiane të Eurasia Group, Emre Peker. Sipas tij, “Erdogan nuk është më imun ndaj shqetësimeve të votuesve për ekonominë, të cilën ai e anashkaloi në maj 2023 për t’u rizgjedhur President”.

AKP fitoi në 24 bashki, nga 39 që kishte në 2019. Në total, CHP fitoi 36 bashki nga 81 provincat e Turqisë, duke hyrë në disa nga bastionet e partisë së Erdoganit. Partia kryesore opozitare fitoi 37% të votave kombëtare, krahasuar me 36% që mori partia e Presidentit, duke shënuar fitoren më të madhe elektorale të CHP që kur Erdogan mori pushtetin dy dekada më parë.

Faktori islamist

Analiza e Bloomberg ia atribuon gjithashtu një pjesë të humbjes së Erdogan vendimit të Partisë Islamike të Mirëqenies për të paraqitur kandidatët e saj, duke i dhënë fund kështu aleancës së saj me AKP-në. Kandidatët nga Partia e Prosperitetit, e cila ka kritikuar politikat ekonomike të Erdoganit si dhe tregtinë e vazhdueshme me Izraelin, mblodhën më shumë se 6% të votave. Megjithatë, sipas bashkëkryetarit të konsulencës Teneo, Wolfgang Piçoli, rezultati i zgjedhjeve nuk ka gjasa të përcaktojë distancën midis Erdoganit dhe grupit të politikëbërësve kryesorë ekonomikë, të kryesuar nga Ministri i Financave Mehmet Simsek. Siç shpjegon Piçoli, rreziku kryesor sipas planit politik të Simsek, i cili përfshin disiplinën fiskale dhe normat e larta të interesit për të zbutur inflacionin, është se Erdogan do të luftojë për të mos rritur pagën minimale dhe pagat e pensionistëve në gjysmën e dytë të vitit 2024.

Beteja e re e Imamoglu

Megjithatë, rruga e Imamoglu nuk do të jetë e qartë pasi edhe pas fitores së dytë radhazi në Stamboll, atij i duhet të bëjë një betejë tjetër – gjyqësore këtë herë – pasi akuzohet për fyerje ndaj anëtarëve të Këshillit të Lartë Zgjedhor, e cila mund të çojë në ndalimin e ushtrimit të të drejtave të tij politike.

Erdogan, mesazh rigrupimi duke pranuar humbjen

Erdogan pranoi humbjen e tij zgjedhore në një fjalim të mbajtur nga ballkoni i pallatit presidencial, duke thënë se “31 marsi për ne nuk është fundi, është një pikë kthese”. Ai siguroi gjithashtu se vlerësimi i rezultateve të zgjedhjeve të 31 marsit do të bëhet në organet e partisë “me zemër të hapur” dhe autokritika do të bëhet “me guxim”. Megjithëse ende nuk janë finalizuar, rezultatet tregojnë se AKP ka “humbur terren në të gjithë vendin”. Këtë e pranoi dhe Erdogan, edhe pse hodhi poshtë skenarët e zgjedhjeve të parakohshme, duke thënë se “Turqia ka më shumë se katër vjet përpara” për zgjedhjet, “që vlejnë sa një thesar”.

Në të njëjtën kohë, ai u përpoq të qetësonte tregjet, duke siguruar se qeveria deri më tani ka zbatuar me vendosmëri programin afatmesëm dhe planin e 12-të të zhvillimit. “Ne qëndruam larg populizmit që do t’i kushtonte vendit tonë, kombit tonë dhe brezave të ardhshëm”, tha ai. “Efektet pozitive të programit tonë ekonomik, veçanërisht në inflacion, do të fillojmë ti shohim nga gjysma e dytë e vitit. Të gjithë, nga bota jonë e biznesit deri te burokracia, nga tregtarët te fermerët, tregtarët, punëtorët dhe studentët, do të jenë në gjendje të fokusohen në atë që ka vërtet rëndësi për ta”, premtoi ai.

“Pavarësisht rezultateve, fituesi i këtyre zgjedhjeve është në radhë të parë demokracia jonë, vullneti kombëtar dhe të gjithë 85 milionë njerëzit, pavarësisht nga pikëpamjet e tyre politike. Fituesja e maratonës zgjedhore ishte Turqia, kombi ynë dhe demokracia jonë, për të cilat paguam një çmim të rëndë”, shtoi presidenti turk.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Bota

Më shumë nga Bota

Lajmet e Fundit

Te Fundit