Nisin seleksionimet edhe për Kombëtaren e U-17 e femrave!

Pas Kombëtares U-17 për femra, ka qenë radha e Shqipërisë U-19 që të nisë seleksionimet për futbollistet e talentuara të datëlindjeve 2003-2004 e që luajnë në kampionatin shqiptar.

Ky proces është zhvilluar në qendrën stërvitore të ekipeve Kombëtare në Kamëz e është ndjekur nga afër nga trajneri i Kombëtares A për femra, Armir Grima, zëvendës-trajneri, Elis Legata si dhe nga zyrtarë të tjerë të sektorit të ekipeve Kombëtare në FSHF.

Në këtë seleksionim kanë qenë të pranishme 34 vajza, që kanë qenë nën vëzhgimin e sektorit të Ekipeve Kombëtare në Federatën Shqiptare të Futbollit prej kohësh.

Qëllimi i këtij seleksionimi ishte për të evidentuar sa më shumë vajza të kësaj grupmoshe që luajnë futboll, në mënyrë që t’i shërbejnë në të ardhmen ekipit Kombëtar A.

Vajzat zhvilluan disa ndeshje kontrolli, duke u aktivizuar të gjitha dhe duke i dhënë mundësinë trajnerëve që ishin të pranishëm në fushën e lojës të shikonin nga afër gjendjen e futbollisteve dhe të krijonin ide të qarta mbi këto vajza, për të krijuar grupin e Kombëtares U-19.

Futbolli i femrave është një ndër prioritetet kryesore të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në këtë seleksionim, të gjitha vajzat e pranishme vinin nga kampionati shqiptar, duke treguar edhe njëherë rritjen e cilësisë në futbollin shqiptar për femra.

 

 

SHKARKO APP