Njohja reciproke e pensioneve me Italinë, nga korriku, nis zbatimi i marrëveshjes

Njohja reciproke e pensioneve me Italinë – Nga korriku, nis zbatimi i marrëveshjes mes...

Prej muajit korrik, emigrantët shqiptarë në Itali do të përfitojnë nga zbatimi i marrëveshjes së nënshkruar midis vendit tonë dhe shtetit italian mbi njohjen e kontributeve të pensionit. Në Fletoren Zyrtare është botuar marrëveshja në fushën e sigurimeve shoqërore, tashmë e ratifikuar përfundimisht nga të dyja palët.

Kjo marrëveshje është nënshkruar që në shkurt të këtij viti, midis Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë dhe atij të Italisë. Pas miratimit nga kuvendet respektive, tashmë kjo marrëveshje do të bëhet realitet dhe do të zbatohet për pensionet e pleqërisë, invaliditetit, atë familjar, si dhe për sigurimin nga sëmundjet, barrëlindja dhe papunësia.

Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, emigrantët shqiptarë që janë në prag pensioni mund të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Itali. Rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, por edhe shtetas italianë që janë të vendosur prej vitesh në Shqipëri, pritet të përfitojnë nga njohja reciproke e pensioneve.

Ky dakordësim bën të mundur që të mos humbasin vitet e kontributeve dhe shtetasit të përfitojnë pension nga të dyja vendet. Një person që ka 10 vite pune në Shqipëri dhe 15 vite pune në Itali, mund të përfitojë një pension në Shqipëri dhe një pension në Itali për ato 15 vite që mund të ketë derdhur kontribute atje.

Qeveria italiane ka parashikuar një fond prej 136 milionë eurosh për zbatimin e njohjes së pensioneve deri në vitin 2032. Ndërkohë, pritet që Shqipëria të finalizojë një marrëveshje të njëjtë edhe me shumë shtete të tjera ku ka prani të emigrantëve shqiptarë.

Ledina Elezi/SCAN

SHKARKO APP