Pamjet ku vdiq presidenti i Iranit (Foto)

Presidenti iranian Ebrahim Raisi, ministri i jashtëm i Iranit dhe persona të tjerë, u gjetën të vdekur në vendin e rrëzimit të helikopterit me të cilin po udhëtonin të dielën, pas shumë orë kërkimesh në një rajon malor me mjegull, në veriperëndim të vendit.

Televizioni shtetëror nuk dha asnjë njoftim të menjëhershëm për shkaqet e rrëzimit të helikopterit. Bashkë me presidentin Raisi në helikopter ishin ministri i Jashtëm i Iranit Hossein Amirabdollahian, guvernatori i provincës së Azerbajxhanit Lindor të Iranit dhe zyrtarë të tjerë dhe truproja, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

Autoritetet turke publikuan herët të hënën atë që ata e përshkruan si pamje me dron që tregon atë që dukej të ishte një zjarr në shkretëtirë që ata “dyshonin se ishin rrënojat e një helikopteri”. Koordinatat e renditura në pamje, shfaqin vendin e rrëzimit rreth 20 kilometra në jug të kufirit ndërmjet Azerbajxhanit dhe Iranit, në anën e një mali të pjerrët.

Pamjet e publikuara nga agjencia IRNA herët të hënën, shfaqën atë që agjencia e përshkroi si vendin e përplasjes, përgjatë një lugine të pjerrët. Ushtarët që flisnin në gjuhën lokale azere dëgjohen duke thënë: “ja ku është, e gjetëm.” Menjëherë pas kësaj, TV shtetëror në një tekst në ekran shkroi se “nuk ka asnjë shenjë jete të udhëtarëve që ndodheshin në bord”.

Kreu i Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Iraniane (IRCS) thotë se nuk është gjetur asnjë i mbijetuar në vendin ku u rrëzua helikopteri i presidentit iranian Ebrahim Raisi në veriperëndim të Iranit.

“Asnjë gjurmë e të mbijetuarve nuk është parë pas zbulimit të vendit të helikopterit të rrëzuar”, tha Pir-Hossein Kolivand herët të hënën në një intervistë me agjencinë gjysmë zyrtare të lajmeve Tasnim.

 

SHKARKO APP