PD akuza për procesin e votimeve/ Celibashi: Respektoni Kodin, shmangni pretekstet
Edhe pse votimet lokale po mbahen në vetëm 6 bashkitë e vendit, problemet e para nisën që në mëngjes. Ndaj dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i ka bërë thirrje subjekteve zgjedhore që të zgjidhin situatën në bashkinë e Vorës, lidhur me anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit me të drejtë propozimi nga Partia Demokratike.
Celibashi thotë edhe se respektimi i Kodit Zgjedhor është e vetmja mënyrë që garanton integritetin e zgjedhjeve dhe ftoi të gjitha subjektet që të shmangin pretekstet dhe ta respektojnë atë.
“Nxisim subjektet zgjedhore që kanë të drejtën e caktimit të anëtarëve të KQV-ve të Bashkisë Vorë të zgjidhin situatën e ngërçit lidhur me anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit me të drejtë propozimi nga Partia Demokratike. Respektimi i dispozitave të Kodit Zgjedhor plotësisht dhe qartësisht është e vetmja mënyrë për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe shmangien e çdo preteksti”.