Përkthyesi i komandove shqiptare apel shtetit Shqiptar: S’meritoj të vritem nga Talebanët

Një përkthyes afgan i cili ka ndihmuar misionet ushtarake shqiptare atje, apelon për ndihmën tek autoritetet shqiptare. “Unë kam punuar për dy vite e gjysmë me djemtë shqiptarë. Njëri prej tyre ishte në rolin e komandantit drejtues për mua. Unë u siguroja informacione që ata të ishin të sigurt. Ne ishim në Kabul, por informacioni kishte të bënte për zona të ndryshme dhe vinte nga burime të ndryshme për të parandaluar sulmet ndaj ushtarakëve shqiptarë dhe të tjerëve anëtarë të NATO-S”,- thotë për ”Top Channel”.

Përkthyesi komandove shqiptare na tregon si është duke i përjetuar këto ditë nën pushtetin e Talebanëve. Ai bën këtë apel për miqtë e tij ushtarakët shqiptarë dhe qeverinë e e vendit tonë.

“Unë i kërkoj të më nxjerrin nga këtu. Ne i ndihmuam ata në kohë të vështira duke i shpëtuar jetën. Tani është koha të na shpëtojnë jetët tona. Nëse Talebanët do të më kapin ata nuk do të kursehen të më vrasin mua bashkë me familjen, e gjitha kjo si pasojë e punës që kam bërë.

Nuk kanë mëshirë për asnjë. Nëse më gjejnë mua, si një person që ka punuar për amerikanët dhe shqiptarët jeta ime merr fund. I apeloj shqiptarëve. Ju lutem më ndihmoni. Ju kam ndihmuar në kohë të vështira. Ne nuk e prismin që Kabuli të binte në duart e Talebanëve kaq shpejt. Unë isha duke punuar dhe papritur dëgjova që Talebanët mbërritën në Kabul.

Që prej atij momenti s’kam dalë nga shtëpia. Jeta ime është në rrezik. Kam dy fëmijë. Bashkë me gruan jemi afër vdekjes. Unë bashkë me gruan dhe dy fëmijët tanë nuk e meritojmë të vritemi nga Talebanët. A besoni se do të jetë një gjë e mirë që ne të vdesim në duart e Talebanëve duke na prerë kokat? Ju lutem ju lutem na ndihmoni ti mbijetojmë kësaj situate”.

SHKARKO APP