Pilula anti-Covid funksionon, kompania farmaceutike: Përgjysmoi shtrimet në spital

Kompania farmaceutike Merck & Co njoftoi se ilaçi i saj, kapsulë, eksperimental kundër COVID-19 ka dhënë efekt duke përgjysmuar shtrimet në spital si dhe vdekjet te njerëzit e infektuar me koronavirus.

Kompania farmaceutike ka bërë me dije se së shpejti do të kërkojë nga zyrtarët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën që të autorizojnë përdorimin e tij.

Nëse miratohet, ilaçi i firmës Merck do të ishte pilula e parë që do të përdorej për të trajtuar COVID-19, një hap potencialisht i madh në përpjekjet për të luftuar pandeminë.

Kompania Merck dhe partneri i saj Ridgeback Biotherapeutics thanë se rezultatet fillestare treguan se pacientët që e morën ilaçin, e quajtur “molnupiravir”, brenda pesë ditëve të para të shfaqjes së simptomave të COVID-19 kishin 50 për qind më pak shanse për t’u shtruar në spital dhe për vdekje, krahasuar me pacientët që morën një pilulë falso.

Bëhet me dije se rezultatet u publikuan nga kompania dhe nuk janë rishikuar nga ekspertë të tjerë.

Ndërkohë kujtojmë se deri më tani për të kuruar COVID-19 në treg janë vaskinat dhe asnjë formë tjetër pilulash.

SHKARKO APP