1 viktimë nga zjarret/Basha: Alarmante, masat gjysmake të qeverisë nuk kanë normalizuar asgjë
Teksa ka shprehur ngushëllimet për humbjen e 60-vjeçarit Andrea Haxhiaj si pasojë e zjarreve në vend, kreu i PD-së, Lulzim Basha thotë se situata është alarmate.
Basha thekson se në shumë zona zjarret vijojnë prej ditësh, ndërsa angazhimi i vetëm i qeverisë ka qenë përpjekje me mjete rrethanore të papërshtatshme dhe servirja e videove te zyrës së propagandës.
”Është momenti që çdokush që ndodhet në zonat e rrezikuara nga zjarri të largohet dhe të kujdeset për jetën. Forcat e emergjencës që ndodhen në terren të marrin masa urgjente që brenda mundësive të sigurojnë jetën e banorëve të rrezikuar dhe të shmangin përhapjen e mëtejshme të zjarreve”,-shkruan Basha në facebook.
Postimi i plotë
I shpreh ngushëllimet familjes së Andrea Haxhiaj që humbi jetën sot si pasojë e zjarrit në zonën e Gjirokastrës. Masat gjysmake te qeverisë nuk e kanë normalizuar dot situatën alarmante të shkaktuar nga zjarret e ditëve te fundit në vend. Pavarësisht paralajmërimeve të qytetarëve dhe medias, në shumë zona zjarret vijojnë prej ditësh, ndërsa angazhimi i vetëm i qeverisë ka qenë përpjekje me mjete rrethanore të papërshtatshme dhe servirja e videove te zyrës së propagandës.
Si në rastin e tërmetit, emergjencat civile dhe qeveria ndodhen totalisht të papërgatitura për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për të shmangur pasojat e katastrofave natyrore. Përgjegjësi i kësaj situate vijon turet e inagurimeve false duke lënë në mëshirë të fatit banorët dhe qindra hektarë që po digjen prej ditësh.
Është momenti që çdokush që ndodhet në zonat e rrezikuara nga zjarri të largohet dhe të kujdeset për jetën. Forcat e emergjencës që ndodhen në terren të marrin masa urgjente që brenda mundësive të sigurojnë jetën e banorëve të rrezikuar dhe të shmangin përhapjen e mëtejshme të zjarreve.