1 vit luftë, ministrja Xhaçka në Këshillin e Sigurimit: Ukraina do të ketë një të ardhme të qëndrueshme
Ministrja e Europës dhe e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, e pranishme në Këshillin e Sigurimit, në 1 vjetorin e luftës, ajo dënoi sulmin ushtarak mbi popullin e Ukrainës, ndërsa tha se të gjithë duhet të punojnë për mbrojtjen e paqes. Xhaçka theksoi edhe se ne kemi parë botën jashtëzakonisht të bashkuar për të dënuar një luftë.
“Sot është një përvjetor tragjik. Kjo ditë nuk ka asgjë për të festuar, përkundrazi është një ditë pendese. Gjithsesi një gjë duhet të theksojmë dhe të mos harrojmë kurrë: nga një luftë katastrofike dhe pasojat e saj të tmerrshme, ne kemi parë botën jashtëzakonisht të bashkuar për të dënuar një luftë që erdhi nga zgjedhja, për të refuzuar aneksimin territorial me forcë, për të respektuar ligjin ndërkombëtar, dhe për të mbrojtur Kartën e OKB-së”, theksoi Xhaçka.
Për të Ukraina duhet dhe do të ketë të ardhshme të qëndrueshme e sovrane. ”Ne presim me padurim ditën, që shpresoj të jetë së shpejti, të fillimit të një procesi shërimi dhe pajtimi. Por derisa të vijë ajo ditë, Ukraina dhe populli i saj meritojnë të gjithë mbështetjen tonë politike, ekonomike dhe ushtarake, të gjithë solidaritetin tonë në rezistencën e tyre heroike për të mbrojtur veten, për të mbrojtur të drejtën”.