1000 policë në terren për protestën, Berisha: Çdo provokim do të ndëshkohet

Kryetari demokrat, Sali Berisha shprehu bindjen se pjesëmarrja në protestën e nesërme do të jetë masive, teksa një paralajmërim e ka edhe për Policinë e Shtetit.

“Paralajmëroj të gjithë llojet e policive se çdo presion, çdo qëndrim, çdo përpjekje për të intimiduar, për të dhunuar, për të penguar popullin opozitar do të regjistrohet dhe do të marrë ndëshkim personal të merituar ligjor. Paralajmëroj të mos provokojnë protestuesit. Edi Rama është i ftuar të mendojë dorëheqjen e tij sa më parë”.

Policia ka parashikuar kordonin e efektivëve në dyert e Kryeministrisë ndërsa pikat e larta të objekteve të rëndësisë së veçantë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit do të ruhen nga forcat speciale. Një pjesë e segmenteve pritet të bllokohen pjesërisht nga policia rrugore.

Për protestuesit që vijnë nga sheshi Skënderbej, Policia do të sigurojë rrugëkalimin për ta duke bllokuar pjesërisht Bulevardin Dëshmorët e Kombit deri te Kreyministria. Për ata që vijnë nga Rruga e Elbasanit do të ketë kufizime gjithashtu ndërsa do të sigurohet lëvizja e lirë e protestuesve nga selia e partisë demokratike deri në dyert e Kryeministrisë.

SHKARKO APP