101-vjetori i shpalljes së Tiranës si kryeqendra e shqiptarëve, Meta: Kullat kanë zhdukur monumentet historike
Presidenti Ilir Meta festoi së bashku me drejtues dhe anëtarë të shoqatave “Tirana”, “Bashkësia Dibrane”, “Tirona Intelectum” si përfaqësues të familjeve autoktone tiranase, 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet. Sipas kreut të shtetit, Tiranës sot i mungojnë shumë monumente kulturore dhe historike, të cilat janë zëvendësuar me kulla. ”Garantoj tironasit e dashur dhe të gjithë shqiptarët, se së bashku me ta do të bëjmë përpjekje më të mëdha, për të mbrojtur trashëgiminë e vyer, që na ka mbetur dhe për të cilën janë sakrifikuar të parët tanë në breza, për t’i thënë: Ndal shëmtisë së kullave dhe barbarisë ndaj identitetit tonë kombëtar, që po ndodh në zemër të Shqipërisë”,-shkruan Meta në facebook.
Postimi i plotë nga Presidenti Ilir Meta
Gëzuar 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës, kryeqendra e shqiptarëve! Shumë i lumtur, që këtë datë të shënuar për mbarë kombin shqiptar, ta kremtoja sot me pinjollë të familjeve autoktone dhe patriotike tiranase, për t’ju shprehur të gjithë banorëve të Tiranës, vullnetin tim të palëkundur për të qëndruar përherë në krah të tyre dhe në mbrojtje të vlerave qytetare, që ata dhe kryeqyteti ynë i dashur përfaqëson.
Fatkeqësisht, për shkak të virusit të babëzisë, Tiranës këtë vit i mungojnë shumë prej monumenteve dhe vlerave të saj më të çmuara historike, tradicionale dhe kulturore. Nuk kemi sot mes nesh, godinën e Teatrit Kombëtar, Këndin e Lojërave për fëmijë tek Rruga e Elbasanit, shumë shtëpi monumente kulture, godina karakteristike dhe tradicionale, që ishin kudo në kryeqytet. Ndërkohë, që edhe Sahati po “zhduket” dalëngadalë. Vendin e tyre po e zënë kullat, që po mbijnë pareshtur, si kërpudhat pas shiut.
Shkatërrimi i objekteve të trashëgimisë sonë kulturore e historike dhe dëmtimi i pariparueshëm i shumë prej tyre, padyshim është një gjenocid kulturor i papranueshëm për identitetin e Tiranës. Garantoj tironasit e dashur dhe të gjithë shqiptarët, se së bashku me ta do të bëjmë përpjekje më të mëdha, për të mbrojtur trashëgiminë e vyer, që na ka mbetur dhe për të cilën janë sakrifikuar të parët tanë në breza, për t’i thënë: Ndal shëmtisë së kullave dhe barbarisë ndaj identitetit tonë kombëtar, që po ndodh në zemër të Shqipërisë.