11 bashkitë ku ka përfunduar votimi, ja fituesit
Kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane kanë arritur të fitojnë në 11 bashkitë e para ku ka përfunduar procesi i numërimit.
Në 4 vitet e ardhshme bashkia e Hasit, Skraparit, Pustecit, Delvinës, Kolonjës, Libohovës, Konispolit, Peqinit, Mirditës, Fushë Arrzit dhe Pukës do të drejtohen nga kryetarë të koalicionit të majtë.
Rreth orës 06:00 të mëngjesit të sotëm u mbyll procesi i votimit në Bashkinë e Hasit, ku Adem Lala i koalicionit të majtë arriti të fitojë me 4884 vota ose 52.98%, ndërsa kandidati i APPD, Elez Maçi arriti të merrte 4245 vota ose 46.05%. Në garë për këtë bashki ishte edhe kandidati i PSD, Gëzim Ukperaj, i cili mori vetëm 0.97% të votave.
Procesi i numërimi është mbyllur edhe në Skrapar, ku fitues ka rezultuar Nesim Spahiu, i cili mori 84.43%, ndërsa rivali i tij Hajredin Bakjasi 15.57% të votave.
Ndërkohë edhe në Delvinë përfundoi procesi i numërimit dhe Rigels Balili, kandidat i ASHE, tashmë është kryetari i ri i kësaj bashkie, pasi ka marrë 72.8% të votave, ndërsa kandidati i APPD, Dhurim Alinani ka marrë 27.2% të votave. Në Kolonjë, Shuaip Beqiri i ASHE-së ka marrë 43.93% të votave, ndërsa Ismail Murtaj i APPD-së, 35.83%.
Edhe Bashkia e Peqinit është fituar nga një kandidati i majtë, Saimir Hasalla, i cili arriti të merrte 9020 vota, ndërsa Albert Kreçi kandidati i APPD mori 4284 vota.
Në Kolonjë, Arben Malo i ASHE-së ka marrë 4997 vota, ndërsa Viktor Duro, kandidat i APPD-së, 4076 vota. Luiza Mandi e ASHE-së ka arritur të marrë 53.65% të votave në Libohovë, duke mundur Altin Çomon e APPD-së me 46.35%.
Në Mirditë, Ndrec Dedaj i ASHE-së ka fituar me 55.37% të votave, ndaj 44.63% të votave të Gjergj Prengës së APPD-së.
Po ashtu edhe bashkia e Fushë Arrzit dhe e Pukës është fituar nga kandidatët e ASHE, por me një diferencë të vogël. Në Pukë Gjon Gjonaj arriti të fitonte me një diferencë vetëm me 97 vota, ndërsa në Fushë Arrëz diferenca ishte vetëm me 66.