“11 mijë telefonata në ditë”, Drejtori i Urgjencës: Pensionistët të mos luajnë domino
Rreth 11 mijë thirrje në ditë kanë mbërritur në numrin 127, të Urgjencës Kombëtare. Për këtë arsye, drejtori i Urgjencës, Skënder Brataj, tha se personeli është shtuar duke marrë edhe trajnimin e duhur. “Nuk kemi vetëm telefonata për koronavirusin por edhe për sëmundje të tjera. Por ka ndodhur që edhe i njëjti person të ketë marrë 30 herë”.
Nga ana tjetër, ai i bëri thirrje që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi për dy javë, sepse pas kësaj periudhe virusi shkatërrohet. “Duhet të kuptojmë se jemi të parët ne mbrojtësit e vetes sonë. Jo u mbyllën shkollat dhe të dalim në parqe. Pensionistët nuk duhet të mblidhen te parku të luajnë domino. Fatmirësisht ne i kemi marrë masat drastike që me shfaqjen e virusit”.
Brataj tha gjithashtu se ka pasur shumë telefonata të personave që kërkojnë largimin nga pallatet e tyre të fqinjëve që dyshohet se janë të infektuar. “Nuk është korrekte të kërkohet largimi i personave që dyshohet se mund të kenë koronavirus. Kushdo që ka ardhur nga jashtë, nga vende të prekura, e ka detyrim të qëndrojë në shtëpi”.
Ai shtoi se në momentin e shpalljes së pandemisë, është e pamundur që t’i bëhet testi me tampon çdo personi që është i shqetësuar. “Personat që iu nënshtrohen testit me tampon, do të marrin përgjigje nga epidemiologu i zonës dhe nuk është nevoja të telefonojnë. Nga 2266 thirrje, 84 janë skeduar për t’u marrë tampon. Jo çdokujt mund t’i bëhet tamponi, nuk ka sens. Nuk është testi që ndryshon përhapjen, por masat drastike”.