110 vjetori i Pavarësisë, Presidenti Joe Biden uron shqiptarët: Shqipëria vijon të jetë një lider humanitar
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden përmes një mesazhi dërguar homologut shqiptar Bajram Begaj, uron popullin shqiptar me rastin e 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë dhe Ditës së Flamurit. Në mesazhin e presidentin Biden, theksohet se Shqipëria vazhdon të jetë një lider humanitar.
“Ky vit shënon 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis vendeve tona, një partneritet që ka uar përpara prosperitetin dypalësh, ka ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe ka forcuar sigurinë globale. Si aleatë të NATO-s, vendet tona kanë bashkëpunuar gjithashtu për ta mbajtur Aleancën të fortë, të përgatitur dhe të vendosur.
Dhe përballë luftës së padrejtë dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, ne kemi punuar së bashku në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të mbështetur popullin ukrainas, duke e konsideruar Rusinë përgjegjëse për agresionin.
Shqipëria vazhdon të jetë një lider humanitar, duke siguruar strehimin e përkohshëm të afganëve dhe grupeve të tjera vulnerabël. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ndërsa fillojmë shekullin e ardhshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe, pres me padurim të thellojmë partneritetin tonë edhe më tej, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e sigurisë energjetike në të gjithë Evropën dhe forcimin e bashkëpunimit për sigurinë kibernetike”, shprehet Presidenti Biden në mesazhin e tij.
Nga ana e tij presidenti Begaj ka falënderuar përmes një mesazhi në Twitter, kreun e Shtëpisë së Bardhë për mesazhin e urimit në ditën e Pavarësisë.
“Faleminderit President Biden për mesazhin tuaj për Shqipërinë dhe shqiptarët me rastin e 110-vjetorit të festës sonë të Pavarësisë. Shqipëria dhe SHBA janë partnerë strategjikë dhe do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë në vitet në vijim për të forcuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin”.