13 konkluzione për 25 prillin, Basha u ”tradhëtua” nga ekipi

Nga: Redjon Shtylla

Tre muaj pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit, sekretariati i Partisë Demokratike paraqitën sot shkaqet që do e lënë sërish PD-në në opozitë, në një mandat të tretë. Partia Demokratike ka nxjerrë 13 konkluzioneve. ”PS-ja vendosi disa përfaqësues të krimit të organizuar në listat e saj për deputetë. Një shqetësim më i madh se blerja e votës ishte keqpërdorimi i burimeve të administratës shtetërore, dhe heqja e kufirit midis partisë dhe shtetit”,-thuhet ndër të tjera në analizën e PD-së.

Po ashtu në analizën e selisë blu, thuhet se ndryshimet e njëanshme elektorale, strukturore dhe të padrejta të sistemit të shënjestruara nga PS-ja, janë një nga faktorët që çuan në një avantazh të padrejtë prej 11 mandatesh në favor të Partisë Socialiste. Detyra e deputetëve dhe strukturave është që puna duhet të përqëndrohet në qarqet ku sipas PD-së ka mundësi reale për mandate të tjera shtesë në qarqet si: Berat, Durrës, Fier, Gjirokastër, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë.

Kush janë drejtuesit politikë të 4 qarqeve të vendit, të cilët kanë zhgënjyer Bashën me punën e bërë në zgjedhjet e 25 prillit? Në Tiranë, drejtuesit u ndanë në degë, Aldo Bumçi drejtoi degët 1, 12 dhe 14; Jorida Tabaku u caktua tek 2, 3 dhe 10; Alfred Rushaj u caktua në krye të degëve 4 dhe 8. Grida Duma u delegua në Kavajë dhe Rrogozhinë. Në Durrës, drejtuesi politik u caktua Edi Paloka, në Gjirokastër Tritan Shehu, ndërsa në Shkodër shkoi Helidon Bushati. Por mesa duket asnjë nuk e bëri siç duhet detyrën, edhe pse kanë janë pjesë e stafit të ngushtë të Bashës.

Kurse Kuvendi Kombëtar i PD-së do të mblidhet këtë të shtunë tek Pallati i Kongreseve. Takimi do të zhvillohet në orën 10:30 të mëngjesit. Komisioni i përhershëm statutor në Partinë Demokratike, vendosi dje që t’i kalojë për shqyrtim kryesisë veç propozimet e kryetarit Lulzim Basha. Edith Harxhit nuk i’u pranua asnjë propozim.

Teksa ngre një sërë pyetjesh për mënyrën sesi u hodhën poshtë propozimet për ndryshimin e statutit, Harxhi gjen fajtor veç Bashës edhe ato që votuan për të rrëzuar propozimet e tyre. Ish-kandidatja për kryetare e PD thotë më tej se PD-ja tashmë duhet rithemeluar, riformatuar, riprogramuar në thelb, në formë dhe përmbajtje, sepse ka humbur besimin e qytetarëve shqiptarë, ka humbur mbi të gjitha busullën.

Po ashtu edhe ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani thotë se Kuvendi Kombëtar i PD-së nuk është një Kuvend i jashtëzakonshëm dhe se nuk synon që të bëjë ndryshime të qenësishme dhe thelbësore në parti. Për të statuti i propozuar nga kryetari, blindon rregullin e mosmbajtjes së përgjegjësisë së PD-së për zgjedhjet. Për Agron Gjekmarkaj, kryeministri Edi Rama nuk e fitoi, por e grabiti mandatin e tretë. Nga ana tjetër, ai insiston që ndryshimi në PD duhet të fillojë që me kongresin e 17 korrikut, ku priten të zgjidhen drejtuesit e rinj të partisë.

PD dhe LSI po shijojnë pushimet verore, por ka edhe disa që japin ndonjë deklaratë apo reagojnë për ngjarjet e ditës dhe me krenari ”bërtasin” se në shtator nis aksioni, a thua sikur nuk i kemi parë shtatoret për 8 vite. Qeveria po punon dhe këtë nuk ja mohojmë dot.

Në Shqipëri dihet që pushteti nuk merret me analiza, por me punë në terren që për 25 prillin duhet ta themi që PD-LSI nuk ishin në sinkron, por të ndarë. Nëse opozita kërkon vërtet të marrë fatet e Shqipërisë në dorë, nuk duhet që të jetë zëdhënëse e lajmit të ditës, se atë pjesë e mbulojnë me mijëra protale në vend, por opozita duhet që të jetë në ballë të probleme që kanë qytetarët dhe të kërkojë zgjidhje, nëse do që të jetë zgjedhje e qytetarëve.

SHKARKO APP