14 Maji, Alibeaj në garë me 14 kandidatë

Partia Demokratike e drejtuar nga kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj do të konkurrojë në zgjedhjet lokale të 14 Majit me 14 kandidatë. Alibeaj fajin për tërheqjen e kandidatëve e gjeti tek kundërshtarët politikë që sipas tij, kanë ushtruar presion të madh ndaj PD-së. Në të njëjtën linjë me foli edhe kandidati për Tiranën, Roland Bejko, pasi tha se vota për Sali Berishën e sheh si pushtet për Ilir Metën.

“Rëndësia e këtyre zgjedhjeve, është bërë e ditur tashmë, për Partinë Demokratike dhe veçanërisht për Tiranën. Megjithëse e pranoj që janë zgjedhje në kushte të komplikuara, për Partinë Demokratike, për gjithë kalvarin që PD ka kaluar vitin e kaluar. Këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme për shqiptarët. Ky është moment për të bërë dallimin e madh”, tha Alibeaj.

Alibeaj theksoi me bindje se Partia Demokratike pa dyshim do të jetë në të ardhmen alternativë qeverisëse, pavarësisht sakrificave që kaluan.

“Jemi sot më të bindur se asnjëherë tjetër që vlerat për të cilat besojmë për një parti demokratike perëndimore, vlerat e demokracisë dhe parimet e shtetit të së drejtës, janë këto thelbi, seti kryesor i lindjes dhe ekzistencës të Partisë Demokratike. E kemi detyrim jo vetëm për ekzistencën e PD, jo vetëm për çuarjen para e këtyre kauzave, por për riprofilizimin e së djathtës në Shqipëri, e pastër ideologjikisht, qartësisht e orientuar drejt euroatlantizmit, që mbron vlerat e munguara të demokracisë shqiptare”, tha ai.

SHKARKO APP