14 Maji, votat e pavlefshme ”rrezikojnë” rinumërim në 3 bashki
Edhe pse numërimi i votave për zgjedhjet e 14 Majit ka përfunduar, ende KQZ nuk e ka dhënë vulën për fitoret e partive. Kjo pasi, 3 bashki kanë më shumë shanse për t’ju nënshtruar procesit të rinumërimit. Bëhet fjalë për Himarën, Rrogozhinën dhe Belshin, ku numri i votave të pavlefshme është shumë më i lartë se diferenca mes kandidatëve.
Numrin më të lartë të votave të pavlefshme e ka Rrogozhina. Edison Memolla i PS-së, siguroi mandatin me 30 vota diferencë nga Shkëlqim Hoxha i “Bashkë Fitojmë”, por votat e pavlefshme arrijnë deri në 276. Për bashkinë e Belshit ka 228 vota të pavlefshme, ndonëse diferenca mes kandidatëve është 40 vota plus për PS-në.
Nga ana tjetër, Himara ka diferencën më të ngushtë nga të gjitha bashkitë e vendit. Fredi Beleri që ndodhet në paraburgim, ia mori të majtës bashkinë vetëm me 19 vota plus, por në këtë bashki kanë rezultuar 165 vota të pavlefshme.
Sipas kryekomisionerit, Ilirjan Celibashi këto vota të pavlefshme nuk i çojnë automatikisht për rinumërim këto tre bashki, por përbëjnë një ndër arsyet për ta realizuar një proces të tillë.