14 raste të reja brenda 24 orëve, shkon në 726 numri i të infektuarve me COVID-19
Rritet sërish numri i personave të infektuar nga koronavirusi në vend. Nga përditësimi i të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, mësohet se përgjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 14 raste të reja, duke e çuar në 726 numrin total të personave të prekur nga COVID-19 në Shqipëri.
Deri më tani në vendin tonë kanë ndërruar jetë 28 persona, ndërkohë që sot ndërroi jetë një 61-vjeçar nga Tirana.
Gjatë 24 orëve të fundit, 7 pacientë të tjerë, të gjithë nga Shkodra, i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 410. Aktualisht në vendin tonë 288 janë persona aktivë me COVID19 dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme.
NJOFTIMI I MSH
Si çdo ditë, ju bëjmë me dije rezultatet e 24 orëve të fundit sa i takon gjurmimit dhe hetimit epidemiologjik dhe situatën e deritanishme të përhapjes së COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 264 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 14 raste pozitive me COVID19. Vijon hetimi epidemiologjik nga ku rezulton se në Krujë janë zbuluar 9 raste të reja, 4 raste pozitive janë në Tiranë, mes të cilëve një në institucionin e vuajtjes së denimit, dhe 1 rast i ri është në Shkodër. Deri në këto momente janë testuar 7279 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 726 raste.
Gjatë 24 orëve të fundit, 7 pacientë të tjerë, të gjithë nga Shkodra, i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 410. Aktualisht në vendin tonë 288 janë persona aktivë me COVID19 dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme.
Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një pacient 60-vjeçar në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi, i konfirmuar me COVID19, i shtruar prej dy javësh në reanimacion, i cili vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese. Deri sot, 28 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.
Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 30 të shtruar nga të cilët 4 pacientë janë në terapi intensive.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar. 2 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4 pacientë janë në pavion.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 36 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Krujë, Tiranë, Shkodër. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
Bashkia Të prekur Të shëruar
Tiranë 293 /183
Shkodër 104 /55
Krujë 92/ 7
Durrës 42 /36
Fier 37 /27
Kurbin 31/1
Korçë 19/18
Elbasan 18/ 15
Kukës 18/ 10
Lezhë 14 /14
Has 14/ 12
Kavajë 9/ 8
Lushnje 7 /4
Vlorë 5/ 4
Pukë 5/ 4
Mirditë 5/ 3
Rrogozhinë 4/ 4
Tropojë 4 /4
Berat 3/ 2
Mallakastër 1
Mat 1
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e vendosura si e vetmja armë që kemi në dorë për të frenuar përhapjen e infeksionit.
Në kushtet e lehtësimit të disa masave është shumë e rëndësishme të zbatohen me përpikmëri të gjitha udhëzimet e autoriteteve shëndetësore, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.