15 kushtet e Europës/Ristani: Me Ramën shkojmë në Gjiriz. Opozita të gjejë rrugën e çlirimit

Nga: Redjon Shtylla

Kryeministri Edi Rama do ta mbesë në klasë Shqipërinë në provimin para BE-së. Parlamenti Europian të enjten mbrëma (18 qershor) miratoi amendamentin e Grupit të Partive Popullore Europiane me tekst ”Parlamenti Europian, thekson 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të ketë përmbushur përpara thirrjes Konferencës Ndërqeveritare të parë me shtetet antare”.

Në një prononcim për ”Koha Jonë”, ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, thotë se qeveria luan rolin e strucit, zhyt kokën në rërë dhe mendon se fshihet, ndërkohë që trupin dhe menderen e ka zbuluar. Nga ana tjeër, Ristani thotë se Rama dhe destinacioni i autokratëve është të bëhen si Erdogani dhe Putini dhe për të, s’ka ç’ju duhet Europa dhe demokracia.

Për rolin e opozitës, Ristani nënvizon se duhet të përpunojë në mënyrë bindëse alternativën si përmbajtje, përfaqësim dhe veprim. ”Shqiptarëve duhet t’ju afrohet një shembull i standarteve demokratike europiane. Ata duhet ti shohin standartet tek opozita sot, që të projektojnë te ajo shpresën për Shqipërinë e nesërme”.

Prononcimi i plotë i Arben Ristanit 

Kushtet e Parlamentit Europian kanë qenë aty prej kohësh, qeveria shqiptare luan rolin e strucit, zhyt kokën në rërë dhe mendon se fshihet, ndërkohë që trupin dhe menderen e ka zbuluar. Kjo në rastin më të mirë, se po të mendosh se partner strategjik dhe shpresën e fundit për mbështetje kemi Turqinë, kjo pastaj të tregon se destinacioni i autokratëve është të bëhen si Erdogani dhe Putini dhe s’ka ç’ju duhet Europa dhe demokracia.

Rrjedhimisht bëjnë gjoja sikur ju intereson Integrimi, por në realitet Integrimi ju prish punë hajdutëve autokratë. Është kjo arsyeja që shkatërruan drejtësinë dhe zhbënë pushtetin gjyqësor, nuk përfundojnë dot një reformë të thjeshtë zgjedhore, nuk ndërtojnë institucione të pavarura, kanë monopolizuar ekonominë dhe nuk kanë vendosur asnjë standart demokratik në asnjë drejtim të organizimit shoqëror.

Opozita ka shumë pak në dorë në këtë drejtim, përgjegjësia është pothuajse e gjitha e qeverisë. Opozitës i mbetet vetëm të përpunojë në mënyrë bindëse alternativën si përmbajtje, përfaqësim dhe veprim. Opozitës i duhet të japë shembull sesi shqiptarët mund të përfaqësohen dhe udhëhiqen nga njerëz normal, me përgjegjshmëri dhe transparencë. Shqiptarëve duhet t’ju afrohet një shembull i standarteve demokratike europiane. Ata duhet ti shohin standartet tek opozita sot, që të projektojnë te ajo shpresën për Shqipërinë e nesërme.

Rama dhe Rilindja janë realiteti ynë i dhimbshëm, janë e keqja që na ka kërcyer në shpinë dhe që nuk po e heqim dot qafe. Sa më parë të gjejmë rrugën e çlirimit, aq më pranë realizimit të ëndrrës europiane do jemi. Kushtet e tyre për procesin e Integrimit të Shqipërisë, janë në fakt një kërkesë minimale, për tu dukur thjesht, një shtet normal me të cilin mund të bisedohet, punohet, ndërtohet me standarte. Me hajdutin, të papërgjegjshmin, me krimin dhe korrupsionin, nuk shkojmë dot në Europë por në gjiriz.

SHKARKO APP