15 kushtet e PE/Ndoka për “KJ”: Rama ka 2 rrugë. Opozita të nis urgjent aksionin për rrëzimin e qeverisë
Bisedoi: Redjon Shtylla
Kryeministri Edi Rama do ta mbesë në klasë Shqipërinë në provimin para BE-së. Në një prononcim për “Koha Jonë”, kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, thotë se 15 kushtet e Parlamentit Europian janë skanimi i situatës politike dhe problematikës së institucioneve në tërësi.
Nga ana tjetër, Ndoka thotë se Rama ka dy rrugë. ”E para, të plotësojë të 15 kushtet deri në shtator dhe kjo do të ishte rruga më e mirë për vendi. E dyta, të vazhdojë mashtrimin dhe aventurën e nisur politike, duke marrë goditje fatale institucionale nga Bashkimi Europian”.
Aleati i PD-së, thotë se opozita e bashkuar duhet të nisë menjëherë aksionin qytetar për largimin e Edi Ramës nga pushteti, më çdo kusht e me çdo çmim që ka liria dhe integriteti i vendit.
Prononcimi i plotë
Mazhoranca aktuale dhe kryeministri Edi Rama, ka rënduar situatën politike në vend, nga viti në vit duke përkeqësuar treguesit e shtetit ligjor dhe të demokracisë funksionale. Sipas Ramës, negociatat janë hapur pesë herë por realiteti është ndryshe, kushtet janë shtuar nga viti në vit.
15 kushtet janë skanimi i situatës politike dhe problematikës së institucioneve në tërësi. Reforma Zgjedhore mbetet kryefjala, Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet lokale, dënimi i krimit zgjedhor, niveli alarmant i korrupsionit, etj. Buntestagu Gjerman, u detyrua të kërkonte miratimin e një rezulute nga Parlamenti Europian, që më në fund Edi Rama ta kuptonte perfundimisht fatin e tij politik, në raport me negociatat dhe BE.
Rama ka dy rrugë: E para, të plotësojë të 15 kushtet deri në shtator dhe kjo do të ishte rruga më e mirë për vendi. E dyta, të vazhdojë mashtrimin dhe aventurën e nisur politike, duke marrë goditje fatale institucionale nga Bashkimi Europian.
Opozita në rastin e parë duhet të jetë bashkëpunuese dhe të ofrojë kontributin e saj, kryesisht për Reformën Zgjedhore dhe zgjedhjet lokale. Ndërsa në të dytën, kur Rama refuzon reformën dhe shkel mbi 15 kushtet e BE-së, opozita e bashkuar duhet të nisë menjëherë aksionin qytetar për largimin e Edi Ramës nga pushteti, më çdo kusht e me çdo çmim që ka liria dhe integriteti i vendit.