15-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, Veliaj homazhe në Prizren: Kujtesa na motivon për të ecur përpara
Në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në homazhet në varrezat e dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit. Ai tha se kjo është një ditë e bekuar për Kosovën dhe se kujtimi për sakrificën e dëshmorëve na motivon të ecim përpara.
“Kjo është një ditë e bekuar për Kosovën! 15 vjet mund të jetë moshë e vogël, por kur mendon se në këto 15 vjet janë aspiratatat e qindra viteve dhe sakrificat e mijëra njerëzve, atëherë kanë shumë më shumë kuptim se koha që ka kaluar. E nisëm ditën sot për të respektuar gjakun e të rënëve. Një komb që harron sakrificat dhe historinë, që harron sa mund, sa djersë, sa gjak është derdhur, nuk ka mundësi të bëjë përpara.
Kosova, pikërisht se është themeluar mbi sakrificat, është themeluar në jetë rinore të atyre që ishin në kulmin e ëndrrave të tyre, që lanë gjithçka për këtë tokë të shenjtë, meritojnë të parët respekt. Respekt për dëshmorët, qofshin gjithmonë të paharruar! Respekt për familjet, respekt për shoqatat që e mbajnë gjallë atë frymë. Unë besoj se kujtesa është ajo që na motivon për të ecur përpara”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se qytetet janë shumë të rëndësishme në historinë e kombeve tona.
“Ne vërtetë festojmë pavarësitë e Shqipërisë dhe Kosovës, ama qytetet kanë ekzistuar edhe para se të kishim shtetet e pavarura. Shpeshherë qytetet si Prizreni, me Lidhjen e Prizrenit, apo shumë qytete të rëndësishme të Shqipërisë dhe Kosovës, si Kruja etj, kanë ekzistuar para se ta kishim pavarësinë si shtet.
Qytetet na kanë prodhuar energjinë edhe për të pasur shtetet. Qytetet merren më pak me politikë, më shumë me punë konkrete, ndaj edhe unë besoj se vëllazëria mes qyteteve, njerëzve të thjeshtë, është ndoshta vëllazëria më e sinqertë.
Është pa protokoll, pa burokraci, pa traktate e marrëveshje. Është si ta ndien zemra e si ta ndjen shpirti, ndaj edhe sot shikoj që janë bashkuar zemrat tona dhe mezi pres të bëjmë sa më shumë punë të përbashkëta. Unë e di se kush merret me punë publike, s’ngelet pa u kritikuar, s’bën dot punë pa marrë kritika, pa marrë opinione, ama detyra jonë është të udhëheqim dhe teksa udhëheqim, sigurisht që ka opinione të ndryshme, por besoj se qëllimi ynë i përbashkët është që t’i ngremë emrin Tiranës, Prizrenit dhe t’i vëllazërojmë qytetet tona”, u shpreh Veliaj.