18 kandidatët e 6 marsit, pritet një fushatë e ”egër”

Nga: Redjon Shtylla

Në garën e 6 marsit, për të marrë për një vit mandatin e kryetarit të Bashkisë janë 18 kandidatë të partive kryesore, PS, PD dhe koalicioni ”Shtëpia e Lirisë”. Mbrëmjen e djeshme ishte Partia Demokratike që miratoi propozimet e degëve për kandidatët për zgjedhjet e pjesshme lokale. Ndryshe nga PD dhe koalicioni Berisha-LSI, PS-ja është e vetmja që në garë ka tre kandidate zonja, që dy prej tyre janë edhe drejtuese aktuale në bashkitë si ajo e Lushnjes, dhe ajo e Durrësit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar kërkesën për regjistrimin e 11 partive.

PD-ja në Durrës do të sfidojë rivalët me Luan Hotin, ”Shtëpia e Lirisë” me Ardian Mukën, ndërsa PS-ja me Ermirjana Sako, aktualisht drejtuese e komanduar e bashkisë. Në Rrogozhinë PD-ja do të kandidojë me Ferdinand Saraçin, ”Shtëpia e Lirisë” me emrin e zgjedhur nga primaret Hekuran Xhanin, teksa PS-ja i ka besuar Edison Memollës.

Në Lushnje, PD-ja futet në garë me Indrit Sefën, ”Shtëpia e Lirisë” me Elton Bano, PS përballet me kundërshtarët me Eriselda Sefën, e cila është drejtuese e komanduar e bashkisë. Një tjetër bashki ku do të zhvillohen zgjedhjet më 6 mars është Vora, ku PD kandidon Ymer Markun, ”Shtëpia e Lirisë” me Lulzim Vrana, kurse PS-ja i ka besuar Blerim Sherajt.

Shkodra e cila pritet të jetë një betejë e fortë pasi është bastion prej 25 vitesh i të djathtëve, PD shkon në zgjedhje me Xhemal Bushatin, ”Shtëpia e Lirisë” me ish-deputetin Bardh Spahia, ndërsa PS-ja me Majlinda Angonin. Për bashkinë Dibër strukturat e PD-së përzgjodhën emrin e Luan Hakës, ”Shtëpia e Lirisë” Premtim Kyemadhin, teksa PS-ja sfidon me Rrahim Spahiun.

Kandidatët kanë dalë, dhe nga dita në ditë pritet të nisi edhe fushata zyrtarisht, por një gjë është e sigurtë, përleshje mund të ketë brenda PD-së, ku Sali Berisha bashkë me aleatët e koalicionit ”Shtëpia e Lirisë”, kërkojnë fitore në të gjashtë bashkitë. Fushata do të jetë e ”egër”, dhe nëse dy veta përleshen, një i tretë fiton dhe në këtë rast i treti është PS-ja. Nga tensionet dhe përleshja që pamë në selinë blu, sherri do të zhvendoset në terren. Një tjetër pikë që mund të penalizojë PD e drejtuar nga Lulzim Basha, është se aleatët nuk janë pjesë e garës, dhe se ende nuk janë shprehur se kë kandidat do të mbështesin. Zhvillime të forta priten në ditën në vijim.

Kandidatët e Partisë Socialiste

Bashkia Shkodër-Majlinda Angoni
Bashkia Vorë-Blerim Shera
Bashkia Rrogozhinë-Edison Memolla
Bashkia Dibër-Rrahim Spahiu
Bashkia Durrës-Emirjana Sako
Bashkia Lushnje-Eriselda Sefa

Kandidatët e koalicionit ”Shtëpia e Lirisë”

Dibër-Premtim Kryemadhi, arsimtar
Durrës-Ardian Muka, inxhinier urbanist
Lushnje-Elton Ilir Bano, jurist-avokat
Rrogozhinë-Hekuran Xhani, mjek veteriner
Vorë-Lulzim Vrana, Ekonomist
Shkodër-Bardh Spahia, mjek

Kandidatët e Partisë Demokratike

Bashkia Shkodër-Xhemal Bushati
Bashkia Durrës-Luan Hoti
Bashkia Lushnjë-Indrit Sefa
Bashkia Dibër-Luan Haka
Bashkia Rrogozhinë-Ferdinand Saraçi
Bashkia Vorë-Ymer Marku

SHKARKO APP