“2020, vit pa Ramën Kryeministër”, Ndoka për “KJ”: Prag diktature, opozita luftë frontale
Nga: Redjon Shtylla
2019 ka qenë vit i opozitës, kjo jo e përcaktuar si vit i mbarë apo i keq. Duke nisur nga djegia e mandateve në shkurt, pastaj në protesta disa mujore ku nuk mungoi helmimi i shqiptarëve dhe arrestimi i protestuesëve dhe viti u mbyll me turin e kreut të PD-së, Lulzim Basha me “Rrugëtimi për Shqipërinë”.
Përgjatë vitit 2019 vendi kaloi në sfida të jashtëzakonshme por me sa duket në 2020 sipas PD-së, do të zhvillohet beteja finale. Ndaj, ne kontaktuam me kreun e PDK-së, Nard Ndoka për të mësuar më shumë se çfarë do të bëjë opozita në këtë vit të ri. Pyetja me të cilën ju drejtuam është “Politikisht, PD-ja ka përgjegjësinë që të rrëzojë Edi Ramën. A rrezikojmë të humbasim orientimin tonë, drejtpeshimin dhe të ardhmen? Si do të veprojë opozita në këto muaj të parë të vitit dhe çfarë duhet bërë sipas jush?”
Teksa ka bërë një rezyme të aksionit opozitar, Ndoka thotë se me politikat diskriminuese, kjo qeveri detyroi mijëra familje dhe të rinjë të braktisin vendin nga gjendja e mjerueshme ekonomike. Nga ana tjetër aleati i PD-së, akuzon kryeministrin Edi Rama, duke thënë se po pushton të gjitha institucionet. “Pushteti ka gjunjëzuar dhe kapur shtetin”. Për të jemi në prag diktature. Lidhur më këtë situatë, Ndoka ka edhe një dëshirë. “Viti 2020 duhet të shpallet si “viti pa Edi Ramën Kryeministër””.
Përgjigjja e plotë
Lënia e mandateve ka qenë vendimi më i guximshem dhe më i rëndësishëm i opozitës së bashkuar, në aspektin politik e moral në raport me qytetarët shqiptarë. Qeveria e ka zhytur vendin në krizë të thellë; politike, ekonomike, morale. Me politikat diskriminuese, kjo qeveri detyroi mijëra familje dhe të rinjë të braktisin vendin nga gjendja e mjerueshme ekonomike.
Me humbjen e shpresës për të jetuar në këtë vend, qindra mjekë, infermierë, biznesmenë u larguan nga vendi. Ne kaluam një vit dramatik, ku opozita e bashkuar dhe qytetarët shqiptarë kërkonin largimin e kësaj qeverie dhe të kryeministrit Edi Rama, si shkaktari dhe përgjegjësi i kësaj gjendje.
Rama po sillet si politikani më i papërgjegjshëm si drejtues i një mazhorance me vota të blera. Rama po pushton të gjitha institucionet, pushteti ka gjunjëzuar dhe kapur shtetin. Jemi në prag diktature. Viti 2020 duhet të shpallet si “viti pa Edi Ramën Kryeministër”.
Opozita është e fokusuar tek axhenda e buntestagut gjerman për zgjidhjen e krizës, nëse kjo axhendë refuzohet apo anashkalohet nga Rama, deviza ynë si opozitë e bashkuar do jetë; luftë frontale këtij banditi të demokracisë dhe institucioneve, luftë pa kompromis dhe me çdo çmim që meriton liria e një kombi të shtypur nga një ozurpator!