2023-2025, qeveria ”Rama 3” planifikon 19 reforma

19 reforma strukturore që nga punësimi te mbrojtja sociale, energjia dhe financat publike, ka në plan qeveria ”Rama 3”. Kjo në harkun e viteve 2023-2025. Ambicia kryesore e qeverisë është rritja e punësimit tek të rinjtë.

Vëmendje në projekt merr edhe zgjerimi i mbulueses së kujdesit social, lufta ndaj informalitetit, investimet strategjike, menaxhimi i financave publike, sektori energjetik dhe tranzicioni i gjelbër për një ekonomi që zvogëlon ndotjen.

Mikel Qafa, ekspert ekonomike, thotë se reformat janë të mirëpritura, por të pamjaftueshme dhe të vona. “Reformat që janë projektuar të ndërmerren nuk është se janë të gabuara. Ato më shumë janë të pamjaftueshme dhe të vonuara. Reformat që ka projektuar qeveria të ndërmarrë këtë periudhë afatmesme janë më shumë një evolucion, një vijimësi e nismave të mëhershme. Nuk është se presim revolucion, aq shumë të nevojshëm për ekonominë shqiptare”,-thotë ai.

Në projektvendimin e hedhur për konsultim publik nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pranohet se reformat e deritanishme nuk kanë dhënë efektet e pritshme duke mos arritur të ulin nivelin e varfërisë, papunësinë apo të nxisin investimet e huaja.

SHKARKO APP