“21 Janari”, Shkëlqim Hajdari: Ngjarja u hetua në kushte të vështira, prokurorët kanë qenë nën presion
Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari i ftuar në emisionin “Real Story’ në News24 ka folur për protestën e ’21 Janarit’ pas rihapjes së hetimeve nga Prokuroria e Tiranës për çështjen e ‘21 Janarit’, saktësisht për vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës.
Duke iu kthyer protestës së asaj dite që i mori jetën 4 qytetarëve, Hajdari tha se prokurorët kanë qenë nën presion në vendin e ngjarjes.
“Ka qenë ditë e premte. E kam ndjekur ngjarjen nga zyra që kur nisi protesta. Meqenëse përfundoi ashtu siç përfundoi, kam ndenjur 5 ditë në zyrë. Isha drejtues i Apelit dhe dua të them se prokurorët që kanë tentuar të kryejnë veprime në vendngjarje kanë qenë në presion. Unë si drejtues kam nxitur prokurorët që të këqyrin dhe të mbledhin prova është nga këqyrjet e vendit të ngjarjeve më të rënda. Kanë qenë nën presion. Ka qenë ngjarja më e rëndë në Shqipëri, pas 97 dhe vrasja e Azem Hajdarit. Po të rikthehemi tek 21 Janari, qysh të nesërmen ngjarjen rrodhën keq, se kryeministri i asaj kohe tha; “jemi përballë një puçi”. Më pas dolën 4 gazetarë dhe unë si puçist. Gjënë më të tmerrshme se si u zhvilluan ngjarja e 21 Janarit s’ka ndodhur dhe s’do të ndodh ndonjëherë. Vlen për t’u theksuar se Artan Hoxha për atë çka filmoi na qetësoi. Ngjarja u hetua në kushte të vështira, ne arritëm që të grumbullonim prova. Atë natë shyqyr që arritën që të kalonin gardhin, që të merrnin gëzhojat.
Tjetër gjë është që ta pasurosh ngjarjen nga jashtë, dhe tjetër të jesh një njeri që ke marrë disa përgjegjësi për hir të funksionit. Kjo nuk është ngjarje e largët shumë, ka 10 vite. Të bësh betejë me një kryeministër që gardistët donim t’i hetonim, dhe më pas t’i mbash aty dhe t’i mjekosh po brenda. Prokurorët nuk kanë armë, s’kanë mekanizma të tjera. Prokurorët e shkallës së parë që u morën me hetimet për mua kanë bërë një punë heroike, le të na gjykojnë qytetarët. S’mund t’i them të gjitha gjerat dhe për hir të etikës se çfarë presioni iu bë prokurorëve. As atëherë nuk janë tallur dhe shpresoj që as këtë radhë nuk do të tallen. Kjo çështje, pothuajse të gjitha pistat se ku do të hetohet janë të qarta. Sot është situatë tjetër pasi ne kemi një prokurori e cila duam apo s’duam, ka një klimë më të vlefshme për të grumbulluar prova. S’ka asnjë pengesë që çështja që ka marrë formë të prerë të prishet për çështje të grumbullimit. Gjatë gjykimit në apel 2 gjyqtarë kanë dhënë dorëheqje.”, tha ai.