21 vjetori i ndërhyrjes së NATO-s, Basha nderon Indrit Carën: Heroi nga Kavaja që luftoi dhe dha jetën për lirinë e Kosovës

Kryedemokrati Lulzim Basha ka përkujtuar sot 21 vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, që do t’i jepte fund dhe regjimit të Sllobodan Millosheviçit në Ballkan.

Basha ka preferuar që në këtë përvjetor të nderonte Indrit Carën, heroin nga Kavaja që luftoi dhe dha jetën për lirinë e Kosovës.

Ja komenti i Lulzim Bashës

12 Qershorin e vitit 1999 do ta kujtoj përherë si një ndër ditët më të gjata dhe të veçanta të jetës time. Me emocione që vështirë të përshkruhen, hyra në Kosovë pak pas zbarkimit të Gurkave – kontigjentit të parë britanik.

Nuk përjetoja vetëm emocionin tim, por jetoja ëndrrën e gjyshërve të mi, ëndrrën me të cilën isha rritur që fëmijë e që po e shihja të bëhej realitet, Kosova e lirë.

Në 12 qershorin e 1999 lindi drita e shpresës e lirisë dhe dinjitetit për shqiptarët e Kosovës. Për çdo ditë e brez pas brezi, kujtojmë me mirënjohje miqtë dhe aleatët e mëdhenj që mundësuan e ndihmuan ëndrrën tonë për një Kosovë të lirë. Mirënjohje të thellë SHBA, vendeve mike Europiane, NATO-s e të gjithë atyre që i dhanë jetë ëndrrës për liri të popullit të Kosovës.

Mirënjohje përjetë Presidentit Ibrahim Rugova, Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari dhe bijave e bijve të Kosovës e mbarë kombit që luftuan dhe ranë në altarin e lirisë.

Sot vendosa lule pranë bustit të Indrit Carës, heroit nga Kavaja që luftoi dhe dha jetën për lirinë e Kosovës. Ai, dëshmorët dhe luftëtarët e tjerë nga Shqipëria dhe gjithë viset shqiptare do të mbeten përjetë frymëzimi i një kombi thellësisht mirënjohës, standarti i artë i atdhedashurisë dhe idealizmit të pastër për liri e për Atdhe!

SHKARKO APP