23 vite nga vrasja e Azemit, Basha: Fatet e demokracisë të pasigurta
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përkujtuar Azem Hajdarin, në 23 vjetorin e vrasjes. Përmes një postimi në facebook, kreu Basha thotë se Azemi vrau frikën e shqiptarëve anembanë vendit për liri dhe demokraci.
Nga ana tjetër, kreu i PD-së thekson se fatet e demokracisë janë të pasigurta dhe perspektiva europiane e Shqipërisë kërcënohet nga regjimi i pakicës së korrupsionit dhe krimit.
“Si demokratë ne mbajmë në zemrat tona kujtimin më të mirë për tribunin e pavdekshëm, që sot e përgjithmonë na nxit të qëndrojmë dhe të luftojmë të bashkuar deri në triumfin e lirisë dhe demokracisë. I paharruar kujtimi i tij”,-shkruan Basha.
Postimi i plotë
Sot, si çdo 12 shtator, përkujtojmë liderin e Lëvizjes Studentore, njeriun që ndezi shpirtrat dhe vrau frikën e shqiptarëve anembanë vendit për liri dhe demokraci, të paharrueshmin Azem Hajdari dhe mikun e bashkëluftëtarin e tij, Besnik Çera.
Vepra dhe sakrifica e Azem Hajdarit mbetet model frymëzimi për të mos iu nënshtruar dhunës së regjimit, për të luftuar me vendosmërinë e heroit të demokracisë dhe për të çuar deri në fund idealin e Shqipërisë si gjithë Europa.
Mirënjohja dhe krenaria për Azem Hajdarin na bashkon, sidomos kur fatet e demokracisë janë të pasigurta dhe perspektiva europiane e Shqipërisë kërcënohet nga regjimi i pakicës së korrupsionit dhe krimit.
Si demokratë ne mbajmë në zemrat tona kujtimin më të mirë për tribunin e pavdekshëm, që sot e përgjithmonë na nxit të qëndrojmë dhe të luftojmë të bashkuar deri në triumfin e lirisë dhe demokracisë. I paharruar kujtimi i tij!