24 deputetët që shkaktuan kaos, nesër do të mblidhet Sekretariati i Etikës. Pritet vendimi për përjashtimet nga Kuvendi

Nesër (e mërkurë) do të mblidhet Sekretariati i Etikës, në lidhje me skenat e dhunës në Kuvend. PS-ja më herët paraqiti kërkesën për marrje mase disiplinore ndaj 24 deputetëve të opozitës pas incidenteve gjatë seancës dhe djegies së karrigeve në oborrin e Parlamentit.

”Ju njoftoj se me anë të shkresës nr. 3634 prot, datë 1.10.2024 të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, është paraqitur kërkesa për marrje mase disiplinore ndaj 24 deputetëve: Gazmend Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Saimir Korreshi, Lefter Geshtenja, Luan Baçi, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho”, thuhet në njoftim.

Në kërkesën e firmosur nga 11 deputetë socialistë drejtuar kryeparlamentares Elisa Spiropali, ndër masat disiplinore kërkohet edhe përjashtimi i deputetëve demokratë nga seanca plenare dhe komisionet nga 10, 30 dhe 60 ditë. Gjithashtu në kërkesën e socialistëve theksohet se veprimet e deputetëve të opozitës kanë cenuar rëndë parimet dhe vlerat parlamentare duke dëmtuar rëndë imazhin e Kuvendit, si edhe duke penguar përmbushjen e funksioneve të tij.

Sipas deputetëve socialistë veprimet e kolegëve të opozitës janë në shkelje të hapur të detyrave të tyre si përfaqësues të popullit dhe bien ndesh me normat e mirësjelljes dhe etikës parlamentare. Pas kësaj kërkese kryeparlamentarja ka vendosur mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën nesër në orën 15.00, për shqyrtimin e kësaj kërkese.

SHKARKO APP