24 vjeçari shqiptar që u tha nga qeveria se është vrarë, në darkë del i gjallë!
Sot kryeministri Rama tha ndër të tjera se në Ukrainë u vra një 24 vjeçar shqiptar.
“…përveç një informacioni të fundit që morëm për një djalë që në mos gabohem, në një nga mediat tuaja…që ishte i vrarë, si person i veshur ushtar, apo pjesë e ushtrisë. Ishte një djalë shqiptar që jetonte në Ukrainë dhe bashkëjetonte apo ishte i martuar me një shtetase ukrainase. Por jetonte atje prej kohesh”, tha Rama.
Në media u fol për Emanuel Bazanjin nga Elbasani, i cili prej kohësh është pjesë e ushtrisë ukrainase.
Por gazetari Top Channel Muhamed Veliu ka mundur të ketë një komunikim të shkurtër me shqiptarin Emanuel Bazanji, i cili tërësisht vullnetarisht, përmes një iniciative personale e private i është bashkuar ushtrisë së Ukrainës dhe është pozicionuar në mbrojtje të Kievit.
“Mirë jam. Gjallë…. “, është përgjigja e tij.
Më tej Emanueli na tregon se çfarë është duke ndodhur në repartin ushtarak ku ai shërben si pjesë e legjionit Gjeorgjian.
“U bombarduam sot me aviacion dhe helikopter“, shkruan Emanueli, i cili thekson se ndodhet në një situatë të rrezikshme.
Biseda jonë në Whats Up, thotë gazetari Muhamed Veliu, nuk mund të vazhdojë.
Emanueli thotë se i duhet ta fikë telefonin pasi sistemi GPS i telefonit ‘smart’, mund të shërbejë për rusët në identifikimin e vendndodhjes.
Sipas burimeve inteligjente ukrainase të cituara nga gazeta Ukrainska Pravda, mësymja ushtarake ruse, për të pushtuar Kievin konsiston në shkatërrimin e pikave mbrojtëse në hyrje të kryeqytetit, marrja nën kontroll e aeroportit, shkatërrimi transmetuesve të energjisë elektrike duke shkaktuar panik, sulm masiv kibernetik në të gjitha faqet ‘online’ qeveritare, bllokim autostradave për mos lejimin e kalimit të refugjatëve të luftës dhe forcave tokësore ushtarake ukrainase.
Objektivi kryesor i sulmit rus është vënia nën kontroll e godinave qeveritare.
Ndërsa objekti final dhe madhor për ushtrinë e Vladimir Putim ka të bëjë me kapjen e udhëheqësve të Ukrainës dhe detyrimi i tyre mes forcës në nënshkrimin e një marrëveshje paqeje duke ndarë Ukrainën në dy pjesë sipas modelit Gjerman Lindje-Perëndim shkruan TCH.