24 VJET PARTI SOCIALISTE E SHQIPËRISË
Fotoalbumi dhe fjala e mbajtur e Edi Rames në kremtimin e ditëlindjes së Partisë Socialiste pas fitores së madhe të 21 qershorit
Edhe për një vit bëhet çerek shekulli nga dita kur lindi partia. Ndërkohë, unë vetë dhe për pak ditë kaloj gjysmën e shekullit.
Gjysmës së shekullit i afrohet edhe Pandi, megjithëse ka pothuajse çerek shekulli që duket sikur e ka mbushur gjysmën e shekullit. Ndërsa Gramozit duket sikur i ka rënë për pjesë ilustrimi i atij vargut, “vitet tutje, ti tëhu”, të cilit unë do t’i shtoja “të tjerët vejnë e vijnë, ti mbete këtu”. Nuk e di a është Arta, se do të ikte jashtë, por në qoftë se është, Arta mos u nxeh, nuk e diskuton njeri që edhe ti këtu je dhe tek “këtu”-ja hyn, jo tek ata që vejnë e vijnë. Bashkë me Erjon Braçen, pa diskutim, që duke përfituar nga gjatësia, ecën më shpejt dhe konsumohet më ngadalë.
Gramozi gjithnjë më porosit lëri emrat, se gjithnjë do ta harroç ndonjë dhe më shumë qejfmbetje se kënaqësi do të prodhosh. Por unë gjithnjë e bëj këtë gabim dhe s’kam si ta shmang sot që kremtojmë ditëlindjen e partisë, aq më tepër pas një fitoreje të madhe, si ajo që korrëm javën e shkuar.
Fituam sëbashku, që të gjithë dhe nuk fituam vetëm, por edhe me socialistët e Ilirit, i cili vazhdon heq peshë nga vetja për t’ia shtuar LSI-së; me çamët e Shpëtimit që në çdo palë zgjedhje na jep me sukses provën e devizës së tij “çam nuk lind po bëhesh”; me demokratët e Presidentit Topi, që këtë herë fitoi, sepse besoi tek shprehja “trimi i mirë me shokë shumë”; me Paskalin dhe me Petron, të cilët edhe këtë herë nuk lanë me plot sukses, socialistë me sedër të partisë tonë pa futur në listat e këshillave bashkiakë – dhe sikur Skënderi, që i ka mësuar si të joshin sedërlinjtë tanë, të mos kishte dalë këtë herë dhe i vetëm trim në luftë, s’do të kishte mbetur asnjë sedërprekur nga tanët jashtë trenit të gjatë të fitores. Ku kishte me megjithatë, edhe plot të tjerë, pjesë e koalicionit tonë, që si asnjëherë tjetër arritën të marrin vota këshilli nga ato të partisë mëmë. Të gjithë këtyre, të cilët nuk po i përmend me emër se janë shumë, ju detyrohem një bluzë nga të miat me numër 23, në kujtim të fitores dhe në vend të fjalës së urtë, qengji i butë pi dy nëna. Përveç avokat Ngjelës, natyrisht, që qengj nuk ishte as në moshën e qumështit, dhe ka edhe ai kontributin e vet në këtë fitore, si anëtar unikal i koalicionit, besnik i Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe njëkohësisht, kundërshtar i qeverisë së Aleancës për Shqipërinë Europiane.
Mirë se keni ardhur që të gjithë, shumë të dashur miq!
Faleminderit për gjithçka dhe gëzuar këtë festë të përbashkët fitoreje, me rastin e ditëlindjes së Partisë Socialiste të Shqipërisë!
Faleminderit të gjithë socialistëve dhe progresistëve të vjetër e të rinj, pa moshë, me teserë, pa teserë, me FB, me Twitter, me laps, të angazhuar në vijën e parë, në vijën e dytë, në prapavijë apo dhe jashtë vijës, për fitoren e jashtëzakonshme të javës së shkuar!
Një gëzuar të me gjithëzemërt, veçanërisht për ju, shokë, shoqe, miq, të njohur e të panjohur, që brenda dhe jashtë Shqipërisë i jepni Partisë Socialiste, përmes angazhimit tuaj të drejtpërdrejt si pjesë e saj, fuqinë e madhe të lokomotivës të fitoreve të Aleancës për Shqipërinë Europiane.
Faleminderit padyshim, fituesve tanë, grave dhe burrave të Aleancës për Shqipërinë Europiane, të cilët morën besimin tonë për të na udhëhequr në betejë dhe merituan mbështetjen e numrit më të madh të komuniteteve, që populli sovran i Shqipërisë i ka besuar ndonjëherë një pale politike në historinë e re të zgjedhjeve të lira vendore!
Gëzuar fitoren, të dashura dhe të dashur kryeshërbëtorë të sapozgjedhur të bashkive të reja të Shqipërisë, nga Dibra në Vlorë, nga Mirdita në Gjirokastër, nga Durrësi në Korçë dhe në të gjitha njësitë ku qytetarët zgjodhën modelin tonë transformues të Rilindjes Urbane!
Gëzuar edhe fitoren shembullore të Tiranës, ku u ringritëm fuqishëm, falë zgjedhjes së lirë të popullit të kryeqytetit, pas rrëzimit dramatik të 4 viteve më parë!
Gëzuar ditëlindjen edhe kryetarit të opozitës! E ka në të njëjtën ditë me Partinë Socialiste dhe as këtë herë, njësoj si mbas 23 qershorit, nuk ia urova dot në kohë reale, sepse ne ishim në fushatë për bashkitë, kurse ai ishte në fushatë për referendumin kundër reformave të qeverisë. E ftuam të ishte me ne, sot, siç ftuam edhe të tjerë kolegë të tij dhe do të kisha qenë i lumtur, nëse do të kishte ardhur, se do të më ishte dhënë rasti që ta falënderoja sinqerisht, jo për kontributin në fitoren tonë, natyrisht, por për nismën e tij personale për referendumin. Por jam i bindur se miku i të gjithëve, Tritan Shehu, të cilin e përshëndes për praninë e tij këtu, do ta informojë hollësisht për këtë falënderim.
Falë kryetari të Partisë Demokratike, në këto zgjedhje në bëmë një rrugë e dy punë; Morëm dhe “Po”-në e popullit për të qeverisur 75% të bashkive dhe afro 80% të popullsisë së vendit, që ishte puna jonë; edhe “jo”-në popullore për referendumin kundër reformave, që ishte puna e tij.
Për të qenë i ndershëm deri në fund, dua të nënvizoj se ajo ishte një JO aq ulëritëse sa e katandisi Aleancën e PD afro 200 mijë vota nën mbështetjen e vitit 2013, jo se shqiptarët janë të lumtur me rezultatet e qeverisjes, por sepse e refuzojnë kategorikisht opozitarizmin e improvizuar, pa vizion, pa alternativë, pa lidership. Unë besoj se mbi të gjitha shqiptarët do ta refuzojnë kategorikisht PD-në, deri ditën kur partia demokratike do të vazhdojë të thotë kam një ofertë të re, për të njëjtën ofertë të vjetër që mori 1 milion shuplakat e dy viteve më parë. 1 milionët e javës së shkuar, u bënë 2 milionë brenda dy vitesh dhe ky është numri i shuplakave të popullit për PD, por nuk është asesi numri i duartrokitjeve për sukseset tona.
Nëse vota e 21 qershorit ka ndonjë domethënie politike për sa i takon shumicës tonë qeverisëse unë e kuptoj atë si një votëbesim , jo për atë që kemi bërë, por për atë që kemi treguar se duam dhe mund të bëjmë.
Natyrisht kjo është një diçka shumë e madhe për atë që shumëkush mund të thotë “na lër rehat të festojmë dhe të kënaqemi se kjo është një fitore nga ato që nuk arrihen shpesh”. Jam dakord, por nuk duhet ta harrojë për asnjë çast se beteja e saponisur për të modernizuar qeverisjen vendore është nga më të vështirat që kemi hasur në jetën tonë politike dhe përbën një peshë shumë të madhe, më shumë, në barrën e përgjegjësisë së jashtëzakonshme që na është besuar 2 qershorë më parë.
Çasti i parë që do ta harronim këtë, do të ishte çasti i parë që do të ndalonim së qeni qeveria që meritojnë shqiptarët. Ashtu sikundër, do të ishte fatale për ne që të mos e jetonim çdo çast të përgjegjësisë sonë me ndjesinë e urgjencës së jashtëzakonshme të njerëzve për ta parë jetën e tyre të ndryshojë në drejtimin e duhur.
Rezultati i dytë plebishitar që arritëm në harkun e dy vjetëve, është ndër të tjera dhe shprehja e kësaj urgjence në shpirtin e njerëzve. Madhësia e kësaj fitoreje përcakton një nivel të atillë përgjegjësie që ne na imponon ecjen dhe më shpejt me edhe më shumë vendosmëri, në rrugën e reformave reale. Shqiptaret e zakonshëm anembanë vendit e treguan edhe njëherë se nuk kanë frikë nga reformat që çojnë në drejtimin e duhur dhe i mbështesin ato, pavarësisht nga dhimbjet mjaft që të kuptojnë ose edhe thjesht ta ndjejnë që reformat janë ato të duhurat për ta nxjerre Shqipërinë në dritë. Ndryshe nga çmendojnë ato që thonë se kemi hapur shumë fronte menjëherë, dhe se po nxitojmë shumë dhe kështu nuk bëhet, shqiptarët e zakonshëm e treguan edhe njëherë se vetëm kështu mund të bëhet. Ndërsa unë, mendoj se duhet të nxitojmë edhe më shumë dhe çdo ditë tonën ne detyrë do ta përjetojmë me bindjen se “o do ta bëjmë sot këtë punë, o nuk bëhet kurrë”. Sigurisht, kjo sot nuk është mbledhje dhe ndjesë se e teprova në pamundësi për ta fshehur se vëmendja ime është e gjitha tek sfida e jashtëzakonshme që kemi përpara.
Si sot një vit do të festojmë 25 vjetorin e PS dhe vitin e ardhshëm nuk do ta shtyjmë ditëlindjen për shkak fushate. Unë dua që sot një vit ta kremtojmë përvjetorin jubilar me 150 mijë anëtarë të familjes sonë të madhe politike.
Kjo është një tjetër sfidë, brenda sfidës madhore të ndryshimit që duam të sjellim për Shqipërinë. E vitin mes këtij qershori që po mbyllet dhe qershorit që do të vijë, le ta bëjmë një vit historik edhe për partinë tonë. Koha për një hapje të PS në çdo qytet dhe fshatë është ideale. Çdo gjeneratë, çdo komunitet, çdo shtresë shoqërore dhe grup interesi, çdokush që ka investuar besimin e vet me votën për projektin tonë të rilindjes, duhet ta ketë mundësinë të gjejë vendin e vet në këtë familje, nëse dëshiron të bëjë bashkë me ne, më shumë se sa thjesht të na votojnë ditën e zgjedhjeve.
Le ta bëjmë PS përgjatë këtij viti, mes një ditëlindjeje dhe një përvjetori jubilar, një hapësirë të re për forca, mendësi dhe mundësi të reja që vijnë nga të gjitha territoret e Shqipërisë dhe jashtë saj. Le të kërkojmë ndihmën e çdo burri të urtë, e çdo djali të talentuar, e çdo gruaje energjike, e çdo vajze të gatshme për tu angazhuar, që së bashku ta çojmë PS në 25 vjetorin e saj, më të madhe në fuqinë për të udhëhequr dhe ndryshuar këtë vend. Le ta modernizojmë më tej këtë forcë të madhe politike, që ka brenda besnikërinë e veteranëve të luftës, eksperiencën e njerëzve të punës së ndershme, pasionin e të rejave dhe të rinjve që duan një mundësi reale për të luftuar për Shqipërinë që meritojnë.
Kjo është një kohë ideale për të synuar një majë të re për PS dhe fati ynë është që rruga e gjatë e bërë deri këtu, është bërë me përpjekje të panumërta që deri këtu, nuk i kemi bërë vetëm ne, por edhe të tjerë para nesh, me përvoja të jashtëzakonshme që janë mbledhur në 24 vjet, me beteja, fitore, rrëzime dhe ringritje dhe me një energji po kaq të jashtëzakonshme që është gjeneruar deri këtu edhe nga betejat modernizuese të këtyre 2 viteve. Le të nxjerrim përsëri më të mirën prej mendjes dhe zemrës dhe të bëjmë më të mirën që e sotmja t’i shërbejë të nesërmes dhe Partia Socialiste t’i shërbejë të ardhmes.
Edhe njëherë shumë faleminderit të gjithëve për praninë tuaj këtu! Shumë faleminderit të gjithë atyre që sot nuk mundën të ishin këtu, por që padyshim kanë një kontribut të paçmuar për këtë ditë dhe për gjithçka që kem arritur të bëjmë deri në këtë ditë.
Duke e mbyllur fjalën time të gjithë atyre ju përulem me shumë mirënjohje dhe besnikëri!