25 prilli, Basha: Betejë midis shqiptarëve dhe premtimeve të pambajtura
Gjatë një takimi me studentët në kryeqytet, Lulzim Basha u shpreh se beteja e 25 prillit nuk do të jetë midis tij dhe Edi Ramës, por e shqiptarëve me qeverinë e premtimeve të pambajtura. Në vijim të turit të takimeve me të rinjtë në kryeqytet, kryetari i PD-së u shpreh se rrotacioni më 25 prill do të vijë për të përmbushur pritshmëritë e rinisë shqiptare.
“Peshku qelbet nga koka dhe ndryshimi duhet të vijë nga koka. Për mua, dhe PD-në sfida e vërtetë e jona është me pritshmëritë tuaja dhe jo me një qeveri të dëshmuar përpara shqiptarëve”.
Basha nënvizoi se më 25 prill nuk do të ketë betejë të opozitës dhe mazhorancës, por mes shqiptarëve dhe një qeverie, që sipas tij, nuk ka mbajtur premtimet e 8 viteve. ”Nuk është betejë midis forcave politike, jo midis meje dhe Edi Ramës, është betejë mes gjithë shqiptarëve, e tetë viteve të premtimeve të pambajtura dhe dështimeve, dhe njeriut përgjegjës për këto”,-tha më tej kreu i PD-së.
Gjatë takimit me të rinjtë Basha prezantoi edhe planin e Partisë Demokratike për arsimin ku premtoi 10 mijë praktika mësimore të paguara për një vit.