Meta: Shqipëria, sot një vend i respektuar
25-vjetori i Parlamentit pluralist është përkujtuar sot përmes një ceremonie në ambjentet e këtij institucioni.
Në fjalën e tij, kryetari aktual i Parlamentit, Ilir Meta ka deklaruar se Shqipëria ka ndryshuar mjaftueshëm në këto 25 vjet dhe jo vetëm nga aspekti politik.
“Shqipëria është sot një vend i respektuar në arenën ndërkombëtare, por shumë mbetet për të bërë për të garantuar një demokraci funksionale për qytetarët”, ka thënë Meta.
Të pranishëm në këtë event kanë qenë ish-kryetarët e Parlamentit ndër vite, si Jozefina Topalli, Kastriot Islami, si dhe figura të hershme të politikës shqiptare.
***
Në vitin 1991, në Shqipëri pas pesë dekadash shfaqen shenjat e para të rilindjes së parlamentarizmit. Ku pas një periudhe 67-vjeçare, u mblodh parlamenti i parë pluralist i dalë nga zgjedhjet e 31 marsit 1991 me 250 deputetë të zgjedhur.
Ligji “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, i miratuar atë vit solli ndryshime në kuadrin e organizimit demokratik të shtetit. Ai u plotësua gradualisht nga një sërë ligjesh të tjera kushtetuese, deri në miratimin e një kushtetute të re tërësore më 21 tetor 1998, e cila krijoi mundësinë për të kuptuar më mirë sistemin politik në Shqipëri dhe rolin e aktorëve të tij. Emërtimi Kuvend Popullor, me Kushtetuën e re, u ndryshua në Kuvendi i Shqipërisë (njëdhomësh, 140 deputetë).
Pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, Kuvendi, si organi më i lartë i pushtetit ligjvënës, vazhdoi procesin e hartimit dhe miratimit të ligjeve. Gjatë këtyre viteve roli i tij është rritur ndjeshëm në krijimin e një kuadri kushtetues e ligjor, si premisë për vendosjen e shtetit juridik.
Ai është kthyer në institucionin më të rëndësishëm të zhvillimit të jetës politike në vend. Veprimtaria legjislative është bërë një nga instrumentet më aktivë në konsolidimin e institucioneve të shtetit dhe të integrimit euroatlantik.
KOHA JONË SONDAZH

