3, 2, 1… Gëzuar 2022! Veliaj uron nga Sheshi “Skënderbej” Vitin e Ri 2022: Ky është momenti i Tiranës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti Vitin e Ri 2022 në Sheshin “Skënderbej” së bashku me qytetarët. Veliaj tha se, “pavarësisht vështirësive ne të gjithë duhet të jemi bashkë, sepse vetëm ashtu jemi më të fortë”.

Kryebashkiaku theksoi se ky vit do jetë i veccantë pasi Tirana do jetë “Kryeqyteti Europian i Rinisë” ku do zhvillohen mbi 1000 aktivitete.

“Një duartrokitje për Elvanën, Albanin, çunat dhe gocat e Tironës që e bëjnë kaq krenar, që janë kaq të talentuar që punojnë fort dhe ndoshta kanë ardhur nga të gjithë cepat e Shqipërisë, por e kanë bërë historinë e suksesit këtu në Tiranë. Përqafoni ata që keni afër, njerëzit që si keni parë prej kohësh, ky është momenti ynë, ky është momenti i Tiranës në vitin 2022. Ne do të të jemi kryeqyteti Europian i Rinisë dhe nuk ka rëndësi fare nëse jemi të majtë apo të djathtë, të krishterë apo mysliman, të veriut apo të jugut.

Kjo është Tirona jonë! Dhe Tirona jonë është e mrekullueshme edhe është një hapësirë që i ka dhënë secilit një shans për t’ia dalë në jetë dhe për të ecur përpara. Kemi kaluar një situatë të jashtëzakonshme, 2 vite të vështira me tërmetin me pandeminë, por kur ne bëhemi bashkë çohemi gjithmonë më të fortë, më të bashkuar, më të dashur. Ndaj ju uroj të gjithëve një vit të mbarë për ju, për familjet tuaja.

Secili prej nesh mund të jetë një familjar më i mirë, një shok më i mirë, një komshi më i mirë, një fqinjë më i mirë, një koleg më i mirë. Dhe nëse secili prej nesh është pak fare më i mirë, e gjithë Tirana do të shkëlqejë. Bekime për ju dhe për familjet tuaja. Dhe tanitë kemi një spektakël fishekzjarrësh që dua ta numërojmë të gjithë bashkë. Jemi gati! 10,9,8,7,6,5,4,3,2,1 Gëzuar Vitin e Ri 2022.Urimet më të mira, shëndet, fat për familjet tuaja”, u shpreh Veliaj.

SHKARKO APP