3 ministrat e Jashtëm të BE në Tiranë: Koha për nisjen e negociatave
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka pritur në një takim homologët e saj, ministrin e Jashtëm të Austrisë, Alexander Schallenberg; ministrin e Jashtëm të Republikës Çeke, Jakub Kulhanek dhe atë të Sllovenisë, Anze Logar. Xhaçka deklaroi se vizita e homologëve të saj në Tiranë është një tregues i mbështetjes së tyre dhe vendeve që ata përfaqësojnë ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Të tre ministrat e BE vlerësuan se Shqipëria ka bërë gjithccka pritej prej saj dhe se është radha e BE që të hedhë hapin e saj. “Shqipëria ka bërë një rrugë shumë të gjatë, ka ndërmarrë shumë reforma, i ka bërë detyrat e saj dhe është gati të hapë negociatat në muajin qershor. Nuk ka asnjë arsye për ta vonuar këtë proces”, u shpreh ministri austriak.
“Është mjaft domethënëse që tre Ministra të Jashtëm të BE kanë ardhur në Shqipëri për të treguar mbështetjen e tyre në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE. Përfitoj nga rasti për të vlerësuar të gjitha arritjet që Shqipëria ka bërë deri më tani, veçanërisht në dy fusha: reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ministri çek.
“Shqipëria e përmbushi detyrën, tani është BE-ja që duhet të qëndrojë me fjalët e saj. Presidenca e ardhshme është ajo e Sllovenisë ku zgjerimi dhe çështja e BP do të jenë në krye të axhendës, kështu që Shqipëria do të ketë një bashkëbisedues aktiv. Bashkëbisedues dhe mbështetës shumë aktiv për procesin e zgjerimit”, deklaroi ministri slloven.
Pas takimit me homologen Olta Xhaçka, ministrat e jashtëm të Sllovenisë, Çekisë dhe Austrisë zhvilluan një takim dhe me Presidentin Ilir Meta. Presidenti Ilir Meta pas takimit me diplomatët e vendeve të BE, bëri thirrje që negociatat për Shqipërinë të mos vonohen më. Në një postim në Facebook, Presidenti Meta shkruan se duke vlerësuar Presidencën e ardhshme sllovene të BE-së si mundësi të favorshme për vendin tonë dhe për të gjithë rajonin, ai nënvizoi rëndësinë, që ka çelja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe përparimi me shpejtësi në këtë proces.
“Vlerësova miqësinë tradicionale mes këtyre vendeve dhe Shqipërisë duke i falënderuar veçanërisht për ndihmën dhe mbështetjen miqësore dhe të vazhdueshme, që i japin Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Duke vlerësuar Presidencën e ardhshme sllovene të BE-së si mundësi të favorshme për vendin tonë dhe për të gjithë rajonin, nënvizova rëndësinë, që ka çelja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe përparimi me shpejtësi në këtë proces. Duke uruar, që të gjitha përpjekjet e përbashkëta si për zbatimin e reformave ashtu edhe për një vendimmarrje pozitive europiane të korrin sukses të shpejtë, i falënderova edhe një herë të tria vendet për mbështetjen e sinqertë dhe këmbëngulëse”,– shprehet kreu i shtetit.