3 skenarët për fatin e vulës së PD-së

Do jetë PD-ja pjesë e zgjedhje lokale të 14 majit? Dy Kuvendet e dhjetorit 2021 nisën dhe përplasjen juridike mes grupeve në Partinë Demokratike. Kjo betejë reflektohet me dy statute, dy vula dhe tre padi në Gjykata.

Njëra nga paditë është dorëzuar nga Gazment Bardhi që kërkon bashkimin e vendimeve të dala nga Kuvendet e 17 korrikut 2021 dhe 18 dhjetorit 2021. Kjo çështje gjyqësore është shtyrë disa herë dhe data e radhës kur është lënë seanca është më 17 janar.

Në padinë tjetër është Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi, dhe i kanë kërkuar Gjykatës që të rrëzojë vendimin e Shkallës së Parë që njohu statutin e dalë nga Kuvendi i Berishës më 11 dhjetor 2021. Nëse në këto dy padi Alibeaj dhe Bardhi arrijnë të fitojnë, do e kenë ata mundësinë që regjistrohen me logon e Partisë Demokratike. Nëse fiton Berisha, do i lindë atij e drejta që t’i kërkojë Regjistrit Kombëtar të Partive njohjen e tij si kryetar të PD-së dhe më pas reflektimin nga gjithë institucionet dhe garimin me logon e PD-së më 14 maj.

Ka edhe një variant tjetër të tretë. Mbështetësja e Berishës, Edith Harxhi ka depozituar një padi në gjykatë ku kërkon çregjistrimin e Bashës si kryetar i PD për shkak të faktit të njohur botërisht. Nëse pranohet ankimi i Harxhit dhe për dy çështjet e tjera nuk do të kenë vendimmarrje deri më 6 mars, atëherë askush nuk do mundej të regjistronte PD-në në zgjedhje. /Euronews Albania/

SHKARKO APP