30 korriku, Braimllari për ”KJ”: S’ka truk të Ramës që ndal uraganin popullor. Frikë nga koalicionet

Nga: Redjon Shtylla

Opozita e bashkuar ka përsëritur ftesën ndaj mazhorancës për të vijuar dialogun për hapjen 100% të listave zgjedhore, me kusht mbajtjen e koalicioneve parazgjedhore. Në një prononcim për ”Koha Jonë”, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, thotë se truku i Edi Ramës në Këshillin Politik është shmangia e koalicioneve sepse sipas tij, opozita e bashkuar është tmerri i vërtetë i kryeministrit.

”Kjo qeveri është arrogante dhe e papërgjegjshme në raport me qytetarët, ku paligjshmëria tani është kthyer në një model qeverisës, ndaj Edi Rama ka frikë nga vota e qytetarëve dhe nuk kërkon hapjen e listave por kërkon shmangien e koalicioneve”.

Nga ana tjetër, Braimllari dha arysen pse sipas tij, kryeministri Rama kërkon që partitë opozitare të garojnë të ndara. ”Të hapen listat 100 përqind që qytetarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Ky kryeministër nuk kërkon hapjen e listave por tallet me qytetarët. Nuk ka mekanizëm apo truk politik që ndal këtë uragan popullor që mbështet masivisht opozitën, si një alternativë qeverisëse e cila do nxjerrë vendin nga kriza dhe do të hapë vende të reja pune dhe do të fusë Shqipërinë në shinat e kushtetushmërisë”.

Prononcimi i plotë

Palët në Këshillin Politik kanë rënë dakord parimisht që listat e kandidatëve të hapen 100 %, por përplasja është vendosur tek formula e përllogaritjes së mandateve dhe tek mënyra e ngritjes së koalicioneve parazgjedhore. Më 30 korrik do të votohen ndryshimet Kushtetuese dhe se nëse do ndalohen koalicionet, vendi mund të shkojë në konflikt civil?

Është e qartë tanimë për opinionin publik që Edi Rama dhe Rilindja nuk kanë qëllim hapjen e listave që qytetarët të votojnë për përfaqësuesit e tyre në parlament por një truk i Edi Ramës për të shmangur koalicionet sepse opozita e bashkuar është tmerri i vërtetë i Edi Ramës.

Çdo sondazh, Rilindjen e Edi Ramës e nxjerr të rrënuar politikisht për shkak të keqqeverisjes, arrogancës dhe papërgjegjshmërisë së kryeministrit, i cili e çoi vendin shumë vite pas. E kemi thënë publikisht prej kohësh që kjo qeveri është arrogante dhe e papërgjegjshme në raport me qytetarët, ku paligjshmëria tani është kthyer në një model qeverisës, ndaj Edi Rama ka frikë nga vota e qytetarëve dhe nuk kërkon hapjen e listave por kërkon shmangien e koalicioneve.

Ky kryeministër model në proceset zgjedhore ka Damian Gjiknurin, i cili është i kapur mat në përgjime sesi intimiton apo përdor çunat e fortë, shtetin, policinë ne fushatë në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën. Ky është modeli që Edi Rama i ofron sot qytetareve. Kjo qeveri dhe ky kyeministër tallet me shqiptarët sepse ai nuk kërkon përfaqësim dinjitoz por mekanizma sesi të manipulojë procesin.

Edi Rama propozoi përsëri lista të mbyllura për fituesin dhe të hapura për humbësin, çfarë kuptimi ka ky propozim, çfarë listash hapim? Kush është përfaqësimi qytetar? Ndaj sot opozita ka një propozim konkret që buron nga përgjegjësia qytetare të hapim 100 përqind listat, që qytetarët të zgjedhin përfaqësuesit që do ti përfaqësojnë në parlament. Ta lërë Edi Rama propagandën politike por të shprehet publikisht për një propozim konkret të opozitës.

Të hapen listat 100 përqind që qytetarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Duket qartë që ky kryeministër nuk kërkon hapjen e listave por tallet me qytetarët. Nuk ka mekanizëm apo truk politik që ndal këtë uragan popullor që mbështet masivisht opozitën, si një alternativë qeverisëse e cila do nxjerrë vendin nga kriza dhe do të hapë vende të reja pune dhe do të fusë Shqipërinë në shinat e kushtetushmërisë.

SHKARKO APP