30 vite nga krijimi i PD-së, Basha: Do të jemi gjithmonë zëri i shqiptarëve (VIDEO)
Në 30-vjetorin e krijimit të Partisë Demokratike, kreu Lulzim Basha, ka uruar përmes një video të shpërndarë në rrjetet sociale të titulluar, “30 vjet më parë”, ku lëshoi mesazhin se PD do të jetë gjithmonë zëri i shqiptarëve.
“30 vjet më parë ne u ngritëm nga hiri i një vendi të dërrmuar. Bëmë gjithçka nën shembullin e heronjve, zërat e të cilëve kërkuan ndryshimin që ne sollëm. Ne kemi arritur kaq shumë. Ne sollëm demokracinë, ne hapëm vende pune, ne zhvilluam ekonominë, ne ngritëm infrastrukturën anembanë vendit, ne futëm Shqipërinë në NATO, ne bëmë të mundur lëvizjen pa viza. Ne jemi zëri i njerëzve që nga dita kur rrëzuam diktaturën komuniste, që nga ditët në shesh ne jemi në shërbimin tuaj. 30 vjet për ju, 30 vjet për demokracinë, 30 vjet për Partinë Demokratike, gjithmonë zëri i shqiptarëve”,-shkruan Basha.
Partia Demokratike e Shqipërisë u themelua më 12 dhjetor 1990, teksa vendi ishte i përfshirë nga protestat studentore dhe jo vetëm nga një grup studentësh dhe intelekualësh shqiptarë mes të cilëve Azem Hajdari, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Arben Imami, Aleksandër Meksi, Eduard Selami etj. Kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike u zgjodh studenti Azem Hajdari. Më vonë kryetar i PD-së u zgjodh mjeku kardiolog Sali Berisha. PD është partia e parë opozitare pas lejimit të pluralizmit politik në Shqipëri.